Prishtinë – Për një kërkesë kaq të rëndësishme e me peshë në shoqërinë kosovare, që pret zgjidhje tash e 12 vjet, do të nxirren vetëm akte nënligjore. Qeveria e Kosovës nuk do të precizojë me ligj lartësinë e pensioneve për kategoritë e dala nga lufta, por vetëm me akte nënligjore. Në prag të procedimit të Projektligjit në Kuvendin e Kosovës, për këto kategori, është përgatitur “Shtojca 1”, që saktëson lartësinë e pensioneve.
Portali LajmeShqip.com ka siguruar një kopje të papublikuar të skemës së pensioneve, e cila do t’i bashkëngjitet Projektligjit, që pritet të aprovohet në këtë javë nga kabineti qeveritar.
Pensioni më i lartë është 534 euro, por që u takon familjeve që i kanë dhënë më shumë se 4 dëshmorë gjatë luftës. Ndërsa, 358 euro do të jetë pensioni më i lartë invalidor, që u takon ish-pjesëtarëve të UÇK-së me dëmtim trupor mbi 80 për qind. Pensioni më i ulët në këtë kategori është 180 euro.
Parashihen edhe shtesa për përkujdesje dhe ndihmë për këta invalidë, si dhe pensione familjare pas vdekjes së invalidëve të UÇK-së.
Qeveria ka paraparë edhe pensione familjare për familjet e viktimave civile, për familjet e të zhdukurve civilë, pensione për invalidët civilë, shtesa për përkujdesje dhe ndihmë për invalidët civilë, si dhe të drejtën në pensionin familjar pas vdekjes së invalidëve civilë. (LajmeShqip.com)

Monday, 04 July 2011 17:11