Lajme Shqip Wednesday, 07 October 2015 12:25

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme anuloi vendimin për ndarjen e mjeteve rreth dëmeve të shkaktuara në trazirat e marsit 2004.

Qeveria planifikonte të ndante 97 mijë euro për të sanuar dëmet e trazirave të 17 e 18 marsit 2004, por në mbledhjen e sotme anuloi këtë vendim. Gjithashtu ekzekutivi anuloi edhe vendimin për dhënien e mjeteve financiare për Komunën e Shtërpcës.

Kryeministri propozoi që të anulohen këto vendime, derisa të mos ketë vendime të formës së prerë të gjykatave për këto çështje. Ai kërkoi apelimin e vendimeve të gjykatave, ndërsa qeveria nuk do të ekzekutojë këto vendime derisa proceset gjyqësore të shkojnë në shkallën e fundit.

Mustafa njoftoi kabinetin qeveritar edhe për vizitën në New York.

“Kemi marrë pjesë në Samitin Global të Liderëve për Luftë Kundër ISIS-it dhe ekstremizmit të dhunshëm me ftesë të presidentit të SHBA-ve. Jemi trajtuar në mënyrë të barabartë sikurse edhe gjitha vendet e tjera në selinë e Kombeve të Bashkuara”, tha ai.

Ai përmendi edhe çështjet tjera për të cilat delegacioni kosovar loboi gjatë kësaj vizite.

“Një ndër çështjet që e kemi shpreh në gjitha takimet ka qenë anëtarësimi jonë në UNESCO. Kemi bisedu edhe për përkrahjen e tyre sa i përket liberalizimit të vizave, kemi bisedu lidhur me anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, për procese tjera euroatlantike dhe për përkrahjen e tyre për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosdura të Kosovës,” sqaroi Mustafa./kallxo.com