Tiranë -Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimin “Për krijimin e Akademisë së Arteve, Shkodër”, propozuar nga ministri i Arsimit dhe Shkencës.
Kjo nismë erdhi pas kërkesës nga Qarku Shkodër, Drejtoria arsimore rajonale Shkodër, sipas iniciativës së shkollës artistike kombëtare “Preng Jakova”, me një histori 50 vjeçare në përgatitjen e talenteve, si dhe duke vlerësuar nivelin aktual të specialistëve që japin mësim pranë kësaj shkolle.
Misioni i Akademisë së Arteve, Shkodër, përfshin ofrimin e studimeve universitare në fushën e artit dhe të kulturës; zhvillimin e mbrojtjen e dijeve nëpërmjet mësimdhënie dhe veprimtarisë artistike që kryhet brenda dhe jashtë vendit; formimin e studiuesve të rinj në fushat teorike të vlerësimit të artit e kulturës; kryerjen e kërkimeve shkencore për të zhvilluar dhe tejçuar artin dhe kulturën; ndihmesën në rritjen e standardeve të demokracisë e të qytetërimit dhe cilësisë së shoqërisë, si dhe përgatitjen e të rinjve për një shoqëri të tillë.
Struktura e Akademisë së Arteve, Shkodër, përfshin fakultetin e Muzikës, ku në përbërjen bazë do të jenë Departamenti i disiplinave Instrumentale; departamenti i Kompozim-Dirigjimit dhe Departamenti i Artit Vokal. Ndërsa, Fakulteti i Artit Figurativ do të ketë në përbërje Departamentin e Artit Figurativ, Departamentin e Pikturës dhe Departamentin e Artit Grafik. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 20 June 2012 14:17