Ministria e Financave i ka shkurtuar buxhetin e-Qeverisjes në masën 89%, nga 2 milion e 250 mijë euro sa ishte paraparë në miratimin e buxhetit për vitin 2015, në vetëm 200 mijë euro
Lajmi.net, ka siguruar shkresën që Agjencia e Shoqërisë së Informacionit në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike, i ka dërguar institucioneve relevante shtetërore, ku i tregon pasojat që mund t’i ketë Administrata Publike e shtetit, si pasojë e këtij vendimi të marrë nga ministria e drejtuar nga ministri Avdullah Hoti.
Në këtë shkresë palajmërohet mundësia e rrezikut të kolapsimit të Administratës Publike të shtetit të Kosovës.
Aty thuhet se me këtë shkurtim buxhetor nuk do të mund të realizohen as kontratat tashmë ekzistuese të nënshkruara edhe me subjekte afariste të sektorit privat.
Për pasojë nuk do të realizohen kontratat ekzistuese, të ngritjes së performancës në rrjetin shtetërorë, në gjithë territorin e Kosovës, ngritja e resurseve të Qendrës Shtetërore të të Dhënave, zhvillimi i platformës së Interoperabilitetit (ndërveprimi i sistemeve elektronike të e-Qeverisjes), e as ngritja e nivelit të Sigurisë së Sistemeve, etj.
“Ky reduktim i buxhetit, Agjencinë dhe institucionet tjera i ka sjellë në një situatë e cila pamundëson realizimin e projekteve të planifikuara dhe sidomos pamundëson kryerjen e obligimeve të projekteve të vitit paraprak dhe projekteve me kontrata kornizë që janë vazhdim i realizimit të kontratave ekzistuese”, thuhet në shkresë.
“Këto projekte nga fusha e e-Qeverisjes janë të domosdoshme për funksionim dhe realizim të punëve të përdithsme në administratën publike.
Buxheti prej 200 mijë euro, i aprovuar në kodin e kapitaleve, për vitin 2015 në tremujorin e parë është shpenzuar, vlerë e cila kryesiht ësht shpenzuar si detyrim i vitit paraprak, ndërsa pjesa tjetër ka mbuluar detyrimit kontraktuale të tremujorit të parë”.
“Nga të dhënat tabelare shihet se ASHI-MAP, si rezultat i shkurtimeve buxhetore të Qeverisë, nuk ka mundësi të realizoj pagesat për projektet e kontraktuara.
Obligimet financiare krijohen nga kontratat ekzistuese për realizim të projekteve në vazhdim andaj vlera e obligimeve kontraktuale për periudhën e mbetur të vitit 2015 është 199 mijë e 670 euro”.
Në shkresë jepen edhe informacione të hollësishme për secilin projekt dhe pasojat e mosrealizimit të tyre:
1)Projekti “mirëmbajtja e sistemit të e-Pasurisë” me kosto të mbetur për pagesë për muajt vijues është 37 mijë e 350 euro. Përmes këtij sistemi i bëhet menaxhimi elektronik i aseteve të institucioneve shtetërore. Me aplikacion është digjitalizuar procesi i administrimit dhe menaxhimit të aseteve si: hyrje daljet, amortizimi, barkodimi, regjistrimi i pasurisë, realizimi online i kërkesave dhe miratimeve etj.
Numri i istiticioneve që shfrytëzojnë aplikacioin është 70 me 170 depo dhe nëndepo. Projekti në këtë fazë parasheh mrëmbajten, zgjerimin dhe avancimet teknologjike të sistemit si dhe komunikimin e tij me sistemin e Thesarit.
Pasojat e ndërprerjes së projektit: Projekti është në proces të zgjerimit në shumicën e institucioneve, prandaj ndërprerja e projektit pamundëson zgjerimin e mëtejmë dhe mund të afektoj funksionimin e sistemit në tersi. Si pasojë e kësaj pamundësohet menaxhimi elektronik i aseteve të institucioneve shtetërore dhe rrezikohet investimi i deritashëm.
2)Projekti “Mirëmbajtja e Gjendjes Civile” me kosto të mbetur për pagesë për muajt vijues është 83 mijë e 250 euro. Ky sistem përdoret nga të gjitha zyrat e gjendjes civile në Kosovë. Me anë të këtij sistemi lëshohen të gjitha certifikatat e gjendjes civile. Mos funksionimi i sistemit pamundëson lëshimin e të gjitha llojeve të certifikatave të gjendjes civile, në çdo zyrë pasi që sistemi është qendror dhe funksionon online. Ky sistem shërben si bazë qendrore e të dhënave për të gjitha sistemet e tjera elektronike të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës.
Pasojat e ndërprerjes së projektit: Mos mirëmbajtja e këtij sistemi do të mund të sillte pasoja në punën ditore të zyrave të gjendjes civile dhe sistemeve të tjera që ndërlidhen me Regjistrin Civil siç janë: Regjistri i Letërnjoftimeve dhe Pasaportave, i automjeteve, i patent-shoferëve, sistemi informativ shëndetësor, byroja e sigurimit të automjeteve dhe regjistrat e sistemeve të administratës tatimore dhe doganave të Kosovës.
3)Projekti “Mirëmbajtja e pajisjeve të rrjetit shtetëror Lot 1” me kosto të mbetur për pagesë për muajt vijues është 25 mijë euro. Projekti shërben për servisimin harduerik të pajisjeve për ruajtjen e të dhënave të prodhuesit EMC2 në Qendrën e të Dhënave Shtetërore.
Pasojat e ndërprerjes së projektit: nëse nuk vazhdohet realizimi i këtij projekti, nuk do të ketë servisim harduerik të këtyre pajisjeve. Çdo prishje apo dështim eventual i tyre dështon sistemet elektronike që janë të postuar (vendosur) në këtë infrastrukturë.
Gjithashtu duhet theksuar, se këto janë vetëm disa nga prjektet që mund të dështojnë si pasojë e kvtij shkurtimi të buxhetit
Thursday, 23 July 2015 18:34