Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 23:42

Tiranë –  Partia Socialiste reagoi sot me anë të një deklarate për shtyp ndaj vendimit të Kolegjit Zgjedhor, i cili ka pushuar ankimimin e saj për KZAZ-në nr.49.

PS e konsideron vendimin e sotëm të Kolegjit Zgjedhor absolutisht të pabazuar në ligj dhe tërësisht të papranueshëm.

Sipas PS, “ky vendim flet qartë për vështirësinë e jashtëzakonshme të dhënies së drejtësisë në këtë vend dhe për pamundësinë e trupit gjykues për të vendosur në bazë të ligjit e jo të rrethanave politike apo interesave vetjake të secilit gjykatës”

Megjithatë, thuhet në deklaratë, “Partia Socialiste do të vazhdojë ta kërkojë të drejtën e saj në dyert e sistemit të drejtësisë, duke shpresuar, deri në fund, se gjyqtarët do të zbatojnë Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe ligjet në fuqi”.

Partia Socialiste u ka bërë publikisht thirrje gjyqtarëve që të japin drejtësi, jashtë çdo ndikimi politik, dhe të mos harrojnë për asnjë çast se kjo është një çështje që lidhet drejtpërdrejt me interesat kombëtare, me demokracinë e stabilitetin e vendit.