Lajme Shqip Saturday, 17 September 2011 15:05

Tiranë – Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, gjatë një konference për shtyp të shtunën, deklaroi se heqja e TVSH-së për produktet bazë ushqimore, do të ishte e vetmja rrugë për lehtësimin e barrës së rëndë fiskale, që rëndon mbi çdo qytetar shqiptar.

Kodheli, njëkohësisht, nënkryetare e komisionit parlamentar të Ekonomisë, bëri sot publike nismën e re të opozitës për heqjen e TVSH-së mbi bukën, qumështin, vezët dhe ilaçet, si edhe përgjysmimin e TVSH-së mbi produktet e tjera ushqimore bazë.

“Ne do të luftojmë në parlament që ky çlirim i rëndësishëm i barrës së taksave mbi familjet shqiptare të ndodhë pa pritur që të vijmë në qeveri. Të shohim si do të reagojë oborri i pushtetit”, tha Kodheli.

Përsa i përket nismave të prezantuara nga opozita, nëse ato janë kushte që PS-ja të ulet për reformën zgjedhore, Kodheli theksoi se, deputetët e majtë janë në parlament për të përcjellë zërin e njerëzve që përfaqësojnë. Sipas saj, të qënit pranë qytetarëve fillon dhe me një nismë, siç është heqja e TVSH-së për produktet bazë ushqimore.