Lajme Shqip Tuesday, 24 January 2012 00:49

Tiranë- Nënkryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, duke folur edhe në emër të kryetarit të PS, Edi Rama, në një deklaratë për shtyp, shprehu vullnetin e plotë të kësaj force politike për të mbështetur deri në fund hetimin e 21 janarit.

“Nëse prokurorisë i duhet kontributi në hetim i tre deputetëve të PS, jemi gati të votojmë heqjen e imunitetit të tyre dhe të të gjithë deputetëve pjesëmarrës në demostratën e 21 janarit për të ndihmuar në zbardhjen përfundimtare të së vërtetës”, tha Tahiri. 

Ai bëri të ditur gjithashtu se edhe vetë kryetari Edi Rama është në dispozicion të prokurorisë bashkë me të gjithë deputetët. 

“Për 21 janarin asnjë nga ne nuk ka pasur dhe nuk ka arsye të ketë imunitet”, tha Tahiri, duke shtuar se “ne jemi të gjithë gati të hetohemi deri në fund dhe nuk kemi as drojën më të vogël nga e vërteta dhe duam të vërtetën, të gjithë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën në sytë e të gjithë shqiptarëve”.