Lajme Shqip Monday, 30 May 2011 14:08

Prishtinë – Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë nënshkruan një protokoll bashkëpunimi kërkimor-shkencor e artistik për vitet 2011-2013.

Marrëveshja e nënshkruar midis të dy akademive, u cilësua si një marrëveshje e zgjerimit dhe thellimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Besim Bokshi, tha se ky protokoll bashkëpunimi dyvjeçar përmbanë veprimtari nga fushat e letërsisë, gjuhësisë, shkencave shoqërore e natyrore dhe të arteve.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Gudar Beqiraj, tha se përveç bashkëpunimeve të tjera që kanë me akademitë e vendeve evropiane, një bashkëpunim më të fuqishëm dhe më të frytshëm kanë me akademinë e shkencave të Kosovës.

Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar mes dy akademive shkencore të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, brenda dy vjetëve do të realizohen veprimtari rreth çështjes së standardizimit të gjuhës shqipe dhe të terminologjisë, botimi i hartës arkeologjike, fjalorë, konferenca të ndryshme shkencore, sesione, projekte, promovime, shkëmbime të botimeve e të tjera.