Prishtinë – (E plotësuar) Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur keqardhje për anulimin e ceremonisë së përurimit të “Rrugës së Kombit – Ibrahim Rugova”.
Në një komunikatë për opinion, qeveria ka shpjeguar se “anulimi ndodhi për shkak të ndërhyrjes së një grupi qytetarësh të pandërgjegjshëm, që demoluan vendin ku duhej të mbahej ceremonia”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës falënderon qytetarët e shumtë, që kanë ardhur për të festuar, në veçanti falënderon dhe u kërkon mirëkuptim për ndërprerjen e ceremonisë, kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, presidentes Jahjaga, ambasadores amerikane në Prishtinë, Jacobson, ambasadores e Turqisë në Prishtinë, Ozan dhe shumë personaliteteve tjera vendore dhe ndërkombëtare, që ishin paraparë të mbanin fjalë rasti në këtë ceremoni”, thuhet në komunikatë.(LajmeShqip.com)
******************************************************************
GJURGJEVICË– Ish-bashkëluftëtarë të Brigadës 121 “Kumanova” protestuan sot në autostradën “Ibrahim Rugova”, pranë fshatit Gjurgjicë në Kosovë duke kërkuar lirimin e deputetit Fatmir Limaj dhe tre ish-luftëtarëve të tjerë të paraburgosur Nexhmi Krasniqi, Naser Shala e Naser Krasniqit, për rastin “Kleçka”.
“O Hashim ti ku je, Fatmir Limajn ku e ke”, “Liri për çlirmiarët”, “Nëse doni me festu, Fatmir Limajn duhet me e pru”, janë disa nga parullat që hodhën protestuesit, transmeton KTV.
Protestuesit qëndruan rreth 200 metra larg nga vendi ku pret të përurohet qarkullimi i një pjese të Autostradës Morinë-Prishtinë, teksa kanë shkatërruar të gjitha pajisjet teknike në “skenën” e ndërtuar për ceremoninë e përurimit të kësaj autostrade.
Protestës së ish- luftëtarëve të UÇK-së iu bashkuan qindra qytetarë, ndërkaq për sigurinë u përkujdese Njësa Speciale e Policisë së Kosovës. 
PROTESTA KTHEN BERISHËN NGA RRUGA
Sot në vendin e ceremonisë me të cilën ishte parashikuar përurimi i autostradës Prishtinë–Tiranë në sektorin e Gjurgjicës Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka shkuar.
KTV njofton se në ceremoni ishte parashkikuar të merrte pjesë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, por atij i është dashur të kthehet për në Tiranë pasi protestues në përkrahje të Fatmir Limaj të arrestuar në fundjavë në Prishtinë kanë shkatërruar skenën e ceremonisë. Nga vendi i ceremonisë janë larguar edhe ambasadorë të huaj ndër të cilët edhe ambasadorja amerikane Jacobson.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë për televizionit KTV se përurimi i autostradës “Ibrahim Rugova” do të bëhet në ora 13:00 edhe pse nuk dihet nese protestuesit do lirojnë rrugën në Gjurgjicë.
PËRURIMI I “RRUGES SE KOMBIT”
Në kuadër të festimeve të 100- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në Kosovë do përurohej autostrada “Rruga e Kombit – Ibrahim Rugova”, e cila lidh Kosovën dhe Shqipërinë përmes një infrastrukture moderne rrugore.(LajmeShqip.com)
Tuesday, 27 November 2012 12:35