Prishtinë-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, takoi sot udhëheqësit e partive dhe subjekteve politike parlamentare.
Presidentja Jahjaga zhvilloi takime me kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nënkryetarin e AAK-së, Blerim Shala dhe kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacolli.
Në takime të veçanta, Presidentja Jahjaga, sipas zyrës së saj, ka bashkëbiseduar me subjektet politike për çështjet në interes të vendit, me theks të posaçëm për zhvillimet aktuale politike në Kosovë.
Ajo është shprehur se të gjitha subjektet politike duhet të kërkojnë zgjidhje brenda institucioneve të Kosovës dhe me dialog, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Presidentja Jahjaga ka vlerësuar se debati dhe procesi i vendimmarrjes duhet të zhvillohet në institucione të Kosovës dhe aty të kontribuohet në hartimin, harmonizimin dhe zbatimin e politikave. (LajmeShqip.com)
Sunday, 22 January 2012 00:27