Lajme Shqip Friday, 24 January 2014 16:33

Prishtinë-Një grup studentësh të përkrahur edhe nga Organizata Studentore, kanë protestuar para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, duke kërkuar dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi. Veç kësaj ata kanë kërkuar edhe heqjen e politikës nga Universiteti, respektivisht ndikimin e partisë në pushtet në institucionet arsimore, transmeton KTV .

 “Kërkesat tona janë, dorëheqja e menjëherë e rektorit Ibrahim Gashi, inicimi i hetimeve për të gjitha keqpërdorimet që janë bërë gjithë këto vjet në UP, si dhe largimi i politikës veçanërisht partisë në pushtet nga Universiteti”, ka thënë Roland Sylejmani, një nga organizatorët e protestës. 

Për rreth një orë studentët protestues kanë kërkuar që të dalë dikush nga rektorati për të biseduar me ta por kjo nuk ka ndodhur dhe pas një ore studentët janë shpërndarë të qetë. Ata kanë paralajmëruar se protesta të tilla do të ketë deri sa të njoftohen se është shkarkuar rektori Gashi ose ka dhënë dorëheqje. Pjesëtarë të Policisë së Kosovës gjatë tërë kohës kanë qëndruar në oborrin e rektoratit. Rektorati dyert i pati të mbyllura edhe për gazetarët. /Koha/

Foto: Koha/