Tiranë – Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, ka propozuar përmirësim të legjislacionit shëndetësor lidhur me sigurimin e stafit mjekësor për gabimet njerëzore në profesion. Pas lidhjes së kontratave me spitalet në të gjithë vendin, ISKSH ka konstatuar disa prej problemeve që lidhen me buxhetet e spitaleve, një prej të cilëve është dhe dëmshpërblimi i pacientëve nga fondet e spitalit.
Hana tha në një prononcim për mediat se “vetëm vitin e fundit kanë rënduar buxhetet e spitaleve e, për pasojë edhe shërbimin ndaj pacientit, 3 raste, 2 nga të cilat në Vlorë dhe 1 në Lushnje, me rreth 31 milionë lekë, që ka lidhje të drejtperdrejtë me sigurimin e profesionit”. Në këto raste, sipas saj, kemi të bëjmë me hedhjen në gjyq nga ana e pacientëve të mjekëve, apo stafit mjekësor për mjekim joprofesional. Ndërsa me vendim të prerë të Gjykatës, pacientët kanë përfituar shumën, për shkak të gabimeve mjekësore.
Hana thotë se pikërisht për faktin se shuma për likuidim të tyre është përdorur nga fondet e spitalit, duhet ndërhyrë në ligj, me qëllimin që këto të fundit të mos ndryshojnë destinacion. “Duhet të bëhet një ndërhyrje në ligj, në mënyrë që mjekët dhe stafi mjekësor të kenë sigurimin e profesionit, sikurse kanë juristët, apo profesione të tjera, nga ku mund të mbulohen faturat financiare të gabimeve mjekësore”, tha Hana, sipas së cilës, edhe pse shifrat nuk janë shqetësuese, problemi mund të jetë serioz nëse nuk paraprihet me rregulla ligjore.
Thursday, 15 December 2011 14:24