Lajme Shqip Tuesday, 20 December 2011 08:00

Tiranë – Promovimi i librit “Enver Hoxha” i Blendi Fevziut të hënën në mbrëmje në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve, u shoqërua me një interes të jashtëzakonshëm të personaliteteve më të larta të vendit, kryeministrit Sali Berisha, kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeministrit Fatos Nano, përfaqësuesve të njohur të politikës, medias, artit, trupit diplomatik, etj.

Publikimi i të parës biografi për jetën e diktatorit Enver Hoxha, që bazohet në dokumentet e arkivit të tij personal dhe në rrëfimet e personave që e njohën nga afër, vjen në Tiranë pas një turi promovimesh në Shqipëri dhe Kosovë.

Autori i librit, duke falenderuar të gjithë ata që e mbështetën në këtë iniciativë të rëndësishme, tha se libri është një dokumentim përgjigjesh për pyetjet e të gjithë viktimave të regjimit të ashpër komunist.

“Ndërsa shkruaja librin thellë-thellë sikur po i hyja në hak shoqërisë së sotme dhe po ngjallja një kohë që e kishim lënë pas, me një urim të vetëm: dhëntë zoti nuk vjen më kurrë në asnjë lloj forme dhe emri”, tha autori.

“Frika se ai libër, që po më fuste në një tunel ku do ecja i vetëm dhe ku nuk do të më ndiqte askush, ku do të më linin të vetëm në perversitetin e një regjimi që e kisha urryer dhe e kisha uruar për shumë kohë të harrohej përgjithmonë, për fatin tim të mirë rezultoi e pashkak”, tha Fevziu.

Ai theksoi se suksesi i veprës për biografinë e Hoxhës qëndron tek fakti se thuajse të gjithë gjejnë në libër diçka nga vetja.

Në kuadër të promovimit të kësaj vepre, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, në një prononcim për mediat, tha se “libri është i mirë dhe nuk ka pasur asnjë përgënjeshtrim të fakteve të hedhura në të dhe kjo falë profilit të Fevziut, ku tipar kryesor i tij është të qënit i qytetëruar”.

Nevila Nika, drejtoreshë e Përgjithshme e Arkivave, e cilësoi librin “shumë të këndshëm, që lexohet me një frymë, nga fillimi deri në fund, pasi është pasqyrim i asaj që jetuam dhe që mundohemi ta harrojmë, por që duhet ta kemi në kujtesë”.

Ndërsa, kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, e vlerësoi veprën e Fevziut si shumë “objektive dhe realiste”.

Shtëpia botuese e Universitetit Europian të Tiranës brenda tetë javësh ka hedhur në qarkullim rreth 40 mijë kopje të këtij libri, nga të cilat deri tani janë shitur mbi 32 mijë kopje.

Gjatë promovimit të librit “Enver Hoxha” të gazetarit Blendi Fevziu, kryeministri Berisha u përshëndet dhe me ish-kryeministrin socialist, Fatos Nano.