Tiranë – Prokurori i Përgjithshëm Britanik, Keir Starmer, vjen sot në Tiranë për një vizitë dy ditore për të diskutuar lidhur me marrëdhëniet bilaterale dhe reformën në drejtësi.
Sipas ambasadës britanike në Tiranë, vizita nënvizon forcën e bashkëpunimit midis Prokurorive Shqiptare dhe Britanike, ku përfshihet edhe lufta kundër krimit të organizuar.
Përveç diskutimeve me Prokuroren e Përgjithshme, ai do të takohet me Presidentin, Kryeministrin dhe Ministrin e Drejtësisë për të folur mbi mbështetjen e Britanisë për një reformë të besueshme në drejtësi.
Mbështetja për forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri është thelbësore jo vetëm për angazhimin britanik, por edhe si një prioritet urgjent për integrimin në BE.
Z. Starmer do të bëjë nesër edhe një prezantim mbi reformën në drejtësi dhe atë institucionale, dhe do të vijojë me një diskutim me ekspertë shqiptarë të drejtësisë dhe analistë.
Keir Starmer QC u emërua Prokuror i Përgjithshëm në nëntor 2008. Ai është specialist në ligjin ndërkombëtar, ligjin për të drejtat e njeriut dhe ligjin penal. Në 2007, ai mori titullin Avokat i Vitit në Ligjin Publik dhe për të Drejtat e Njeriut. Ai ka trajtuar shumë çështje në gjyqe ndërkombëtare, duke përfshire edhe Gjykaten Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Monday, 30 January 2012 10:38