Lajme Shqip Wednesday, 13 February 2013 12:51

ATHINË – U firmos sot në Athinë marrëveshja mes tre shteteve (Shqipëri-Greqi-Itali) për projektin e gazsjellësit TransAdriatik Pipeline, TAP.

Lajmi konfirmohet nga Ministria e Ekonomisë e Energjetikës, e cila bën me dije se marrëveshja përcakton bashkëpunimin mes 3 shteteve (Greqi-Shqipëri-Itali) dhe mbështetjen e tyre politike për këtë projekt të rëndësishëm, i cili garanton 2 miliardë dollarë investime për Shqipëri si dhe 20 mijë vende pune.

Marrëveshja tripalëshe, u firmos në mesditë në Athinë, nga pala shqiptare përmes zv/kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë e Energjetikës, Edmond Haxhinasto, nga ministri i Jashtëm Dimitris Avramopulos, dhe ministri Italian për Zhvillim, Corrado Passera. 

Ceremonia e nënshkrimit u ndoq edhe nga Ndihmës Sekretari i Shtetit, Eric Rubin, i cili është këto ditë në Greqi. Në ceremoni ishin të pranishëm edhe përfaqësues të qeverisë së Azerbajxhanit, të konsorciumit TAP, të konsorciumit Shah Deniz që operon në Azerbajxhan dhe zyrtarë të lartë të vendeve të treta. 

Marrëveshja mundëson bashkëpunimin ndërmjet tre vendeve për zbatimin e projektit të TAP, si një projekt me rëndësi strategjike për kontributin ekonomik e zhvillimor për të tre vendet, rajonin dhe më gjerë në Europë. Ky projekt veçanërisht për Shqipërinë paraqet mundësi për diversifikimin e burimeve të energjisë, përmes gazifikimit të vendit. Gazsjellësi Trans Adriatik do të sjellë gazin natyror nga fusha e Shah Deniz 2 në detin Kaspik, në Europën Perëndimore.

CILI DO JETE PROJEKTI FITUES
Nënshkrimi i Marrëveshjes ndërqeveritare nuk garanton që ky tubacion do të zgjidhet në qershor nga konsorciumi Shah Deniz për të transportuar gazin e Azerbaixhanit në tregun evropian. 
Procesi i zgjedhjes së tubacionit që do të transportojë gazin nga Deti Kaspik në Evropë, do të fillojë në mars, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret në qershor.
Projekti konkurrues u tubacionit TAP është Nabucco West, i cili pas Turqisë kalon nëpër Bullgari, Rumani, Hungari, për të arritur në Austri. Megjithatë, sipas vlerësimeve, TAP predominon mbi Nabucco, për shkak të distancës më të vogël dhe kostos më të ulët.
TAP do të shfrytëzojë fushat e mëdha të gazit të Shah Deniz II në Kaspik. Shah Deniz është çelësi i strategjisë së BE për rritjen e sigurisë së vet energjetike, sepse do të bëjë realitet shpresat për një korridor gazi në një prej rajoneve më të pasura të burimeve në botë.

BERISHA: MARRËVESHJA ME RËNDËSI TË JASHTËZAKONSHME
Kryeminsitri i vendit Sali Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë, vlerësoi se “firmosja e marrëveshjes në Athinë të projektit TAP është me rëndësi të jashtëzakonshme”.(LajmeShqip.com)