Lajme Shqip Friday, 11 April 2014 12:32

Ditën e sotme janë prezantuar projektet e përzgjedhura për reformën territoriale dhe për të rigjeneruar nga pikëpamja urbane rajonet dhe qytetet. I pranishëm ka qenë edhe kryeministri Edi Rama, i cili foli për të gjitha ndryshimet dhe investimet që do të bëhen nëpër të gjitha qytetit e vendit. Kryeministri tha se, këto projekte janë një paketë investimesh që do të bëjnë të mundur  transformimin e rajoneve.

“Është një pakete e re dhe transformuese investimesh e cila hapet sot por nuk mbyllet sot. Projektet që do të marrin udhë menjëherë janë projekte që dolën fituese nga thirrja e parë, thirrja e dytë është e hapur dhe pjesa tjetër e paketës së investimeve do të plotësohet me përzgjedhjen e proceseve të tjera. Por nga ky proces ka disa gjëra të rëndësishme. Ne kemi parë si kanë funksionuar në vite një fond i quajtur i zhvillimit të rajonit pa asnjë standard nga pikëpamja e projektimit, pa asnjë standard nga pikëpamja e përzgjedhjes dhe nga pikëpamja e implementimit” tha Rama.

Peleshi: 100 milionë dollarë janë akorduar për këtë projekt

Ka pasur një debat në parlament nëse buxheti është i shtrëngimit të rripit apo është një buxhet i rritjes ekonomike. Projektet që fillojnë sot, që marrin sot rrugën e zbatimit vërtetojnë se ky buxhet nuk është i orientuar drejt masave shtrënguese. Vetë situata financiare e këtij viti mund ta kushtëzonte atë por puna e palodhur e qeverisë shqiptare në bashkëpunim me FMN dhe BB na kanë mundësuar një buxhet të shëndetshëm sepse kemi mundur që brenda tij të krijojmë hapësira për projekte zhvillimi  për investime publike kaq të rëndësishme për jetën e qytetarëve.

100 milionë dollarë të alokuara nga buxheti në fondin e zhvillimit të rajoneve në projektet e infrastrukturës vendore, arsimit, shëndetësisë, artit dhe kulturës dhe mjedisit.   Rreth 100 kantiere të reja pune do të fillojnë nga sot, qindra biznese ndërtimi, biznese shërbimesh të lidhura me to do të fillojnë sot të kenë një treg dhe një frymëmarrje të re. Mijëra vende të reja pune do të happen nëpërmjet këtyre projekteve gjatë vitit 2014” tha ai.