Prishtinë- Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi në parim, me shumicë votash, projektligjin për Qendrën Historike të Prizrenit. 
Pas një debati te gjerë, ku pati edhe replika dhe mospajtime, projektligji u miratua me 56 vota pro, 42 kundër dhe 2 abstenime.
Menjëherë pas miratimit në Kuvend të projektligjit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në një komunikatë shtypi, theksoi se “Pakoja e Ahtisarit dhe neni 8 i Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura e konsiderojnë Qendrën Historike të Prizrenit si të tillë dhe për shkak të specifikave të saja kanë obliguar që të hartohet një ligj që do të rregullojë aktivitetet brenda kësaj qendre, duke e ruajtur karakterin e saj kulturor, historik dhe fetar”.
Më tej në komunikatë thuhet se përmes këtij projektligji “themelohet Qendra Historike e Prizrenit, menaxhimi i saj, mbrojtja, ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore, fetare dhe historike të Qendrës Historike të Prizrenit si dhe zhvillimi i kontrolluar i saj, duke e promovuar Prizrenin si qytet me vlera kulturore dhe historike të interesit lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar si dhe rregullohen aktivitetet që do të ndërmerren në kuadër të kësaj Qendre dhe mundësohet funksionimi i kësaj Qendre kulturore dhe historike në mënyrë të papenguar; themelohet Komiteti për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit, roli i të cilit është të mbikëqyrë dhe këshillojë rreth zhvillimit të aktiviteteve në Qendrën Historike të Prizrenit me qëllim të ruajtjes së trashëgimisë kulturore”.
Kuvendi në seancën e sotme miratoi Buxhetin e Kosovës 2012 prej më se 1.5 miliardë euro.
Wednesday, 21 December 2011 08:00