Në gjykimin e Enver Sekiraqës ka nisur dëshminë hetuesi policor Mehdi Kozhani.
Duke iu përgjigjur Kosovare Kelmendit, avokates së Enver Sekiraqës për një CD në lidhje me ndodhitë në “Swiss Casino”, dëshmitari tha se nuk kishte informata për këtë rast, pasi hetimet rreth tij i kishte bërë dikush tjetër.
Megjithatë, dëshmitari tregoi se CD-ja për të cilën fliste avokatja Kelmendi është gjetur në barin “Sekiraqa” gjatë bastisjes.
Në “Swiss Casino” kishte ndodhur një përleshje mes grupit të Sekiraqës dhe disa policëve, mes tyre edhe Trium Rizës. Në këët përleshje qenë përdorur edhe armët.
Në këtë gjykim Enver Sekiraqa akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, por edeh për veprat penale, detyrim dhe dhunim.
Hetuesi policor Kozhani në gjykatore tha se në bazë të dëshmive, fakteve dhe problemeve që i ka pasur Triumf Riza me të akuzuarin, po ashtu duke marrë parasysh të kaluarën e të akuzuarit, ekziston dyshimi i bazuar se Sekiraqa ka nxitur vrasjen e Triumf Rizës.
“Vetëm problemi i Triumfit me të akuzuarin ka mundur ta çoj triumfin në botën tjetër,” tha Kozhani.
Triumf Riza qe vrarë në gushtin e vitit 2007, ndërsa vrasjen e tij e kishte pranuar Arben Berisha. Berisha 3 vjet më vonë u dënua me 40 vjet burg për këtë vrasje, ndërsa në vitin 2011 Gjykata e Apelit ia zvogëloi dënimin në 35 vjet.
Hetuesi Kozhani kishte dëshmuar në këtë proces gjyqësor edhe në muajin shkurt të këtij viti. /kallxo.com/
Monday, 05 October 2015 13:01