Prishtinë -Përvjetori i 134-të i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe 12 qershori dita e çlirimit të Prizrenit, do të festohen nën logon e jubileut të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Njoftimi është dhënë në faqen zyrtare të komunës së Prizrenit, qytetit historik, më të madhin në jug të Kosovës. Në njoftim bëhet e ditur se kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, priti dje në takim ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka.
Sipas njoftimit, ambasadori Lauka u interesua për axhendën e aktiviteteve të planifikuara nga ana e komunës së Prizrenit me rastin e shënimit të festave të qershorit 2012 dhe shprehu gatishmërinë për pjesëmarrje personalisht në emër të shtetit shqiptar.
Kryetari i komunës, Ramadan Muja, falënderoi ambasadorin për kujdesin e treguar për rëndësinë e festave të qershorit dhe u dakordua që më 10 qershor ambasadori në kuadër të akademisë solemne në përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të mbajë një fjalë rasti. (LajmeShqip.com)
Saturday, 12 May 2012 19:15