Prishtinë -Në Prizren përfundoi konferenca katërditore shkencore ndërkombëtare “Roli i Mërgatës në Shtetformim”, e mbajtur në kuadër të manifestimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, 134-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe 4-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Gjatë konferencës së organizuar nga Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës, akademikë, studiues e shkencëtarë të njohur shqiptarë dhe të huaj paraqitën më shumë se njëzet kumtesa ku u vlerësua kontributi i mërgatës në shtetndërtimin e Shqipërisë dhe Kosovës në faza të ndryshme.
Ministri i Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli, në fjalën e tij tha se gjatë kësaj konference edhe një herë u evidentua roli dhe kontributi i mërgatës tonë nëpër të gjitha proceset që ka kaluar kombi ynë.
Kumtesat e pjesëmarrësve në konferencën shkencore ndërkombëtare “Roli i Mërgatës në Shtetformim” do të botohen në një libër të veçantë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 14 June 2012 08:30