Lajme Shqip Monday, 30 May 2011 11:15

Prishtinë – Kosova ka bërë përparim të sigurt. Kështu ka vlerësuar ministri i jashtëm gjerman, Gido Westerelle në debatin e fundit në Bundestagun gjerman kushtuar Kosovës që u mbajt në fundjavë, ku ai ka kërkuar nga deputetët gjermanë zgjatjen e mandatit për ushtarët e Bundeswehrit në Kosovë. Qeveria gjermane, ka thënë ai, përsërit se statusi i Kosovës dhe çështja e kufijve në Ballkanin perëndimor është plotësisht e mbyllur. Kur njeriu mendon se kanë kaluar vetëm tre vjet nga pavarësimi i Kosovës, atëherë vërtet është e pamundur të mos thuhet se në këtë vend janë bërë përparime tejet të rëndësishme, të cilat sot nuk mund të kalohen pa u thënë. Vetëm brenda një viti në Kosovë dhanë dorëheqje dy presidentë, por po kaq i vërtetë është fakti se ky vakum politik u tejkalua pa lëkundje politike, ka thënë ministri i jashtëm gjerman. Kjo ishte një dëshmi e fortë se u respektua Kushtetuta e vendit, ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese u pranua nga të gjithë aktorët politikë. Megjithatë, në Kosovë ka edhe shumë punë për t’u bërë, gjë që është theksuar edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2010, sidomos sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe sistemit të drejtësisë. Gjermania ka thënë Westerwelle do të vazhdojë të jetë e pranishme me trupat e saj në Kosovë për sa kohë që do të jetë e nevojshme, për t’i ndihmuar edhe më shumë rritjes së stabilitetit në këtë vend.