Lajme Shqip Monday, 16 May 2011 15:34

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të hënën publike një kopje të kontratës ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe konsorciumit “Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradës Vërmicë -Merdare.

Sipas Albin Kurtit dhe Visar Ymerit kjo kontratë prej 103 faqesh në gjuhën angleze, u ka shkuar me postë në adresat e shtëpive nga persona të panjohur.

Pavarësisht se nuk e dinë se kush ua ka dërguar këtë kontratë, Kurti e Ymeri besojnë se kjo është kontrata origjinale, duke pasur parasysh faktin se aty flitet për sektorët e caktuar të autostradës që do të ndërtohet në Kosovë.

Megjithëse kanë thënë se u është dorëzuar para disa ditësh, Kurti e Ymeri nuk kanë qenë në gjendje të japin ndonjë detaj të kësaj kontrate, por kanë thënë se gjatë ditës ekspertët e kësaj lëvizje do ta analizojnë dhe në një konferencë për media në orën 15.00 do të bëjnë publike analizën e kontratës.

Shefi i GP të Vetëvendosjes, Visar Ymeri nuk ka qenë i qartë për saktësinë e kontratës, por ai beson se kjo është kontrata origjinale.

Edhe Albin Kurti i pyetur për deklaratat e fundit të udhëheqësve serb për mundësinë e ndarjes së Kosovës, nuk ka dashur të flas për këtë, por ka thënë se kjo konferencë është vetëm për çështjen e autostradës, kundër të cilës megjithatë, ka thënë se nuk është as Lëvizja Vetëvendosje.

As Kurti as Ymeri nuk kanë qenë në gjendje të japin asnjë koment sa i përket përmbajtjes së kontratës, as për çmimin e saj, por kanë dhënë se ekspertët e Vetëvendosjes do ta analizojnë dhe gjatë ditës do të nxjerrin konkluzionet.

Lëvizja Vetëvendosje edhe më herët ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta bëjë publike këtë kontratë, ndërkaq në seancën e fundit plenare, kryeministri Hashim Thaçi me kërkesë të Vetëvendosjes, ka bërë të ditur se çmimi i kësaj kontrate është rreth 700 milionë euro.