Prishtinë – Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, po e vazhdon grevën edhe ne ditën e martë. Sipas drejtuesve të këtij këshilli, grevës i janë bashkuar edhe anëtarë të tjerë. Ata, njëherësh, kanë paralajmëruar se nuk do të ndërpresin grevën derisa të realizohet kërkesa e tyre – miratimi i Ligjit për vlerat e UÇK-së.
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi ka thënë se këtë grevë më shumë po e bëjnë për arsye morale.
Qeriqi ka bërë të ditur se do të vazhdohet një javë rresht në këtë mënyrë, ndërsa pas një jave greva do të marrë një format tjetër dhe do të jetë e izoluar për media dhe për institucione.
Sipas Qeriqit, greva ka për qëllim të tërheqë vërejtjen për trajtimin jo të mirë të ish-luftëtarëve nga ana e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë.
Ai ka thënë se sot ka pasur vizita private nga disa deputetë, mirëpo jo edhe nga qeveritarët e vendit. Ai, gjithashtu, ka sqaruar se greva nuk është grevë urie, siç është interpretuar nga disa media.
Ndërsa, njëri nga anëtarët e këshillit grevistë, Ylber Selmani, ka thënë se veteranët kanë pasur kërkesa edhe më herët, mirëpo, sipas tij, ato asnjëherë nuk janë marrë parasysh nga institucionet qeverisëse në vend.
Ai ka shtuar se greva do të vazhdojë derisa të përmbushet kërkesa e tyre. Ai shtoi se ka kërkesa të shumta nga anëtarët e veteranëve të UÇK-së, për t’ju bashkangjitur grevës.
Selmani njoftoi se mbrëmë e kanë pasur shumë vështirë të kalojnë natën nën tendë, pasi që koha ka qenë e ftohtë dhe me shi. Po ashtu, grevistët janë shprehur kundër arrestimeve që EULEX-i po ua bën bashkëluftëtarëve të tyre, “ndërsa nuk arrestohen kriminelët serbë”.
Tuesday, 24 May 2011 15:55