Lajme Shqip Wednesday, 18 May 2011 14:26

Prishtinë – Të mërkurën (sot) në Prishtinë mbahet takimi i katërt ndërparlamentar, Parlamenti Evropian – Kosova, ku për dy ditë me radhë do të diskutohen tema që kanë të bëjnë me progresin e Kosovës drejt integrimit evropian, si shkëmbimi i pikëpamjeve me Qeverinë e Kosovës, Përfaqësuesin Special të BE-së dhe Komisionit Evropian. 

Po ashtu, do të diskutohen tema si progresi i Kosovës drejt integrimit evropian, sfidat e sistemit zgjedhor pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe reforma e kornizës ligjore që lidhet me zgjedhjet; progresi në reformat institucionale, në veçanti performanca e pushtetit lokal pas decentralizimit dhe gjendja e sistemit arsimor, forcimi i sundimit të ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, perspektiva ekonomike dhe sociale në kohën e krizës, procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe bashkëpunimi më i gjerë rajonal. 

Delegacioni i Parlamentit Evropian kryesohet nga Eduard Kukan, kryetar, ndërsa ai do të shoqërohet nga Fernando Gjentilini, Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë dhe Kaldun Sino, ushtrues detyre i udhëheqësit të Zyrës Ndërlidhëse të KE dhe me ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së. 

Delegacioni i Kosovës për këtë takim përbëhet nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës, Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Drejtësisë, Enis Kervan, nënkryetar i Kuvendit dhe nga deputetët Sasha Rashiq, Lufti Haziri, Arsim Bajrami, Haki Demolli, Idriz Vehapi, Arben Gashi, Ahmet Isufi, Safete Hadergjonaj, Zenun Pajaziti, Myzejene Selmani. Albin Kurti dhe Hydajet Hyseni. 

Në fund të takimit pritet të miratohet një deklaratë e përbashkët, kurse kryesuesit e delegacioneve, Krasniqi dhe Kukan do të kenë konferencë shtypi.