Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 17:30

Prishtinë – Aleanca e të Rinjve të Kosovës (ARK), e ka vlerësuar si shumë të rëndë të ardhmen e rinisë kosovare, duke konstatuar se tri vjet pas shpalljes së Pavarësisë, perspektiva e rinisë është ngulfatur dhe cënuar nga një qeverisje e papërgjegjshme dhe pa vizion.

Mungesa e kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj në skenën politike dhe në veçanti në momentet kruciale, nëpër të cilat po kalon vendi, po dëshmohet si një hendikep i madh për proceset e shtetndërtimit dhe të ardhmen euroatlantike të vendit.

Sipas tyre, konsolidimi dhe zhvillimi i shtetit të Kosovës ka nevojë më shumë se kurrë për Ramushin.

Ata u shprehën se mungesa e tij në këto procese është duke e thelluar krizën politike dhe institucionale dhe, në veçanti, duke e dëmtuar esencialisht demokracinë në Kosovë.

ARK, duke besuar fuqishëm në pafajësinë e kryetarit Haradinaj dhe në luftën e pastër të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, konstaton se institucionet e Kosovës nuk janë duke bërë asgjë në përkrahje të institucionit kombëtar Ramush Haradinaj.

Përndryshe, në të ardhmen ARK do të ndërmarrë aktivitete qytetare, siç  janë tubimet, aktivitetet sportive e artistike, tryezat dhe mobilizimi i rinisë së vendit në mbrojtje të vlerës sonë të lartë kombëtare e shtetërore.