Lajme Shqip Wednesday, 18 May 2011 17:31

Prishtinë – Kabineti qeveritar ka miratuar Projektligjin për personat e zhdukur, i cili sipas Kuçit, ka për qëllim të mbrojë interesat dhe të drejtat e personave të zhdukur dhe familjarëve të tyre.

Zëvendëskryeministri Kuçi ka paraqitur edhe kërkesën që ka bërë delegacioni i Kosovës në bisedimet me Serbinë për ndarjen e një shume prej 541 mijë eurove që ka të bëjë me mbulimin e shpenzimeve të delegacionit që do të ketë tash dhe në të ardhmen.

Ai i është përgjigjur edhe pyetjes së zëvendëskryeministrit Bujar Bukoshi për periudhën që përfshinë ky buxhet i ndarë, duke thënë se kjo shumë është e paraparë brenda këtij viti buxhetor.

Kabineti qeveritar ka miratuar në mbledhje  edhe Platformën Vjetore të Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë, Projektligjin për ndihmën shtetërore, Planin hapësinor të Kosovës për vitin 2010-2012, propozim-vendimin për dhënien e pëlqimit për shpalljen e Zonës Ekonomike në komunën e Lipjanit, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 73 të Ligjit për Miniera dhe Minerale dhe propozim-vendimin për emërimin e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.