Prishtinë – Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë, është pjesë thelbësore e identitetit të shtetit të Kosovës, tha sot ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi.
“Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare u dëshmua të jetë i pandashëm në jetën kulturore e akademike dhe arriti të shndërrohet në njërën prej ngjarjeve më të mëdha dhe më të rëndësishme kulturore dhe shkencore të vendit tonë, si një katalizator i aktiviteteve shkencore albanologjike, dhe ngjarje e cila pakthyeshëm determinon zhvillimin e përhapjes dhe të afirmimit të shkencës së albanologjisë dhe të kulturës shqiptare, duke i ndihmuar kështu edhe studimet ballkanologjike, por edhe ato evropiane”, tha ministri Krasniqi.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Kosovës, Memli Krasniqi, ka folur sot në hapjen e edicionit të tridhjetë jubilar të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i themeluar në Prishtinë në vitin 1974.
Ai përgëzoi studiuesit dhe themeluesit për këtë ngjarje dhe angazhimin që po tregojnë gjatë gjithë kohës për zhvillimin dhe promovimin e gjuhës shqipe dhe të kulturës së shtetit të Kosovës. Teksa ka ofruar mbështetjen e tij të plotë për Seminarin, ministri Krasniqi ka shfaqur besimin se kjo ngjarje për çdo vit do të rritet edhe më shumë. “Është e pamëdyshtë se edhe ky edicion i radhës dhe jubilar i kësaj ngjarjeje të kulturës dhe gjuhës shqipe do të vazhdojë të brumoset si pjesë e rëndësishme e mendjes dhe shkencës mbi albanologjinë. Si pjesë e identitetit tonë më të çmuar”, tha ai.
Në Seminarin XXX Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili do vazhdojë dy javë deri më 27 gusht, albanologët vijnë nga Polonia, Rusia, Italia, Kina, Turqia, Greqia, Amerika, Gjermania, Japonia, Austria e vende të tjera. Sipas organizatorëve, këtë vit fokusi do të jetë te studiuesit e rinj të albanologjisë.
Në ceremoninë e hapjes së Seminarit kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të tjerë të insitucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës e të Komunës së Prishtinës.
Monday, 15 August 2011 19:49