Prishtinë – Emrat e 1 mijë e 819 personave të pagjetur tash e 12 vjet pas luftës, janë shkruar në një mur të improvizuar të vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, për të kthyer vëmendjen e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës kah këta persona, fati i të cilëve vazhdon të mbetet edhe më tutje mister.
Kjo iniciativë është marrë të mërkurën nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në bashkëpunim me aktivistët e “Nisma ime”, me rastin e 27 Prillit, Ditës së të Pagjeturve.
Raba Gjoshi, drejtoreshë e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, ka thënë se kjo është bërë me qëllim që të tregohet se është një numër i madh i të pagjeturve dhe se ata nuk janë vetëm numra, por janë emra që kanë identitet dhe kanë familje që presin të dinë për fatin e tyre.
Me këtë rast, ajo ka kritikuar edhe institucionet e Kosovës, të cilat, sipas saj, nuk kanë bërë sa duhet për fatin e të pagjeturve dhe për krijimin e një memorieje kolektive.
Muri i ndërtuar me emrat e 1 mijë e 819 të pagjeturve, do të vazhdojë të qëndrojë për aq kohë sa nuk do të kërkohet largimi i tij. Gjoshi ka thënë se ky mur nuk e pengon askënd dhe sipas saj, një gjë të tillë do duhej ta bënin vetë institucionet e vendit për të kujtuar të pagjeturit.
Wednesday, 27 April 2011 11:04