Prishtinë – Kuvendi i Kosovës, me shumicë votash ka miratuar në parim Projektligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve. Të gjitha partitë parlamentare kanë kërkuar që të ketë disa ndryshime në këtë projektligj sidomos në fshehjen e identitetit të dëshmitarëve.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim Projektligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve, i cili është vlerësuar shumë i nevojshëm, mirëpo ka pasur kundërshtime për kohën e hyrjes në fuqi të tij, ngase parashihet që të hyjë në fuqi një vit pas publikimit në gazetën zyrtare.
Projektligjin në emër të Qeverisë së Kosovës e ka arsyetuar ministri i Administratës Publike Mahir Jagxhillar. Ai ka thënë se dispozitat e projektligjit janë në harmoni të plotë me ato evropiane.
Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Behar Selimi tha se Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve po vije në një kohë shumë të përshtatshme. Projektligjin në parim e kanë mbështetur të gjitha partitë opozitare, por kanë kërkuar ndryshime në disa pika të rëndësishme.
Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se ligji ka disa të meta, por rëndësia e tij bënë që të përkrahet në parim. Kuvendi i Kosovës ka shqyrtuar edhe disa projektligje, si dhe raporte vjetore të disa institucioneve. Në shqyrtim të parë ishin Projektligji për efiçiencën e energjisë, Propozim-vendimi i qeverisë lidhur me emërimin e anëtarit të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës dhe projektligje tjera.
Friday, 27 May 2011 16:13