Prishtinë – Zv/kryeministri Hajredin Kuçi ka mohuar të ketë përplasje midis institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it, ndërkohë që ka dalë në mbrojtje të ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili verbalisht ka nisur ‘betejën’ me misionin evropian në Kosovë
Kuçi ka thënë se nuk dëshiron të merret me deklaratat individuale, por ka theksuar se ministri Rexhepi nuk e ka kritikuar EULEX-in për punë, por për mospunë.
I pyetur pse po e pengon EULEX-in angazhimi i institucioneve të Kosovës për rend dhe ligj, ai ka thënë se përgjigje për këtë do të jepte në praninë edhe të EULEX-it, përderisa ka theksuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë jetë këmbëngulëse për ‘drejtimin e kurrizit pa e thyer’, që nënkupton bashkëpunimin me EULEX-in, por gjithnjë duke pasur parasysh obligimin ndaj qytetarëve dhe tërësisë territoriale të vendit.
Ai ka bërë të ditur se bisedimet me partnerin e koalicionit, Aleancën Kosova e Re janë duke shkuar mirë dhe shumë shpejt do të ketë ri-dizajnim të Qeverisë.
Megjithatë, Kuçi nuk ka shpalosur detaje sa i përket ministrive që do t’i marrë AKR-ja, përderisa i është shmangur edhe pyetjes për mospraninë e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli për të tretën herë radhazi në mbledhjen e Qeverisë.
Kuçi ka theksuar se shumë shpejt do të ketë një organogram, i cili do të përcaktojë kompetencat e secilit zëvendëskryeministër, përderisa ka bërë të ditur se do të bëhet një koordinim ndërmjet postit të zëvendëskryeministrit përgjegjës për politikë të jashtme dhe zëvendëskryeministrit për ekonomi.
Wednesday, 27 April 2011 17:39