Prishtinë – “Kosova tash e ka mundësinë më të mirë për progres nëpërmjet reformave të brendshme”, u shpreh sot kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Durao Barroso në takimin që zhvilloi me Presidenten Atifete Jahjaga, ku shoqërohej nga Komisionerin Stefan Füle.
Burime zyrtare nga Presidenca kosovare bëjnë të ditur se Barroso shprehu besimin se Presidentja do të ketë rol të rëndësishëm në afrimin e Kosovës drejt BE-së.
Barroso tha se Kosova tash e ka mundësinë më të mirë për progres nëpërmjet reformave të brendshme. “Në veçanti, reformat në fushën e sundimit të ligjit, ngritjes së bashkëpunimit në mes të Qeverisë dhe Kuvendit në hartimin dhe adoptimin e ligjeve dhe sigurimi i reformës së ligjit zgjedhor, përfshirë sanksionimin e shkelësve të ligjit, janë prioritete. Zbatimi i reformave të brendshme është i rëndësishëm edhe për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave”, u shpre ai.
Në sferën e sundimit të ligjit, Barroso tha se “në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, BE-ja i jep mbështetje të plotë misionit të EULEX-it në Kosovë” dhe inkurajoi që institucionet e Kosovës ta bëjnë të njëjtën.
Ai shtoi se shtetet anëtare të BE-së i kushtojnë rëndësi të veçantë dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke cekur se “normalizimi i marrëdhënieve të fqinjësisë është një prej kushteve themelore në rrugën e Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së”.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga theksoi se është e përkushtuar të punojë me institucionet dhe shoqërinë, në fushën e rendit dhe të ligjit, me qëllim të arritjes së rezultateve efektive në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Presidentja konfirmoi se synon të shtyjë përpara axhendën evropiane në Kosovë dhe kërkoi heqjen e referencës 1244 ndaj Kosovës nga ana e Brukselit si dhe domosdoshmërinë e fillimit të marrëveshjeve kontraktuale me BE-në. “Marrja e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave do të ndihmonte axhendën evropiane të Kosovës dhe reformat e brendshme”, u shprej ajo.
Presidentja Jahjaga shtoi se procesi i ndryshimeve kushtetuese dhe ndryshimit të ligjit zgjedhor do të vazhdojë dhe konfirmoi se “dialogu Kosovë-Serbi është i rëndësishëm”.
Kryetari i Komisionit Evropian, Barroso dhe Presidentja Jahjaga u pajtuan se, në muajt e ardhshëm pritet punë intensive për avancimin e axhendës evropiane nga ana e institucioneve të Kosovës.
Friday, 20 May 2011 16:37