Lajme Shqip Monday, 07 May 2012 12:30

Prishtinë – Qeveria e Republikës së Kosovës vlerësoi mbrëmë se mbajtja e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës për herë të parë është bërë jashtë organizimit të institucioneve të Serbisë.

“Ky proces u realizua sipas standardeve ndërkombëtare për të drejtat e shtetasve që kanë dyshtetësi”, thuhet në një komunikatë për media të qeverisë së Kosovës.
Më tej shtohet se zgjedhjet janë menaxhuar me kompetencë nga OSBE-ja dhe për këtë qeveria e Kosovës i shpreh mirënjohje të lartë OSBE-së dhe faktorëve tjerë ndërkombëtarë.
“Qeveria thekson se qytetarët serbë në tërë Kosovën respektuan këtë frymë të organizimit dhe treguan kulturë të lartë politike dhe qasje integruese, sipas standardeve ndërkombëtare”,  shpreh vlerësim  komunikata.
Qeveria e Republikës së Kosovës thekson se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në dy komuna të Kosovës është ilegale dhe ato nuk kanë asnjë efekt juridik dhe politik, dhe as legjitimitet demokratik.
Qeveria falënderon angazhimin profesional të Policisë së Kosovës, të KFOR-it  dhe EULEX-it, si dhe vlerëson lartë mirëkuptimin dhe qasjen e qytetarëve shumicë të Kosovës lidhur me këtë proces. (lajmeShqip.com)