Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, priti sot Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, Nikolla Poposki.
Pas takimit, ministri Hoxhaj tha se marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe diplomatike mes dy vendeve janë rezultat i një bashkëpunimi shumë të mirë që është zhvilluar mes dy shteteve të pavarura. Ai po ashtu shprehu përkushtimin e përbashkët për vazhdimin e përpjekjeve për intensifikimin dhe thellimin e marrëdhënieve diplomatike e politike mes dy vendeve.
Hoxhaj veçoi marrëdhëniet e fuqishme ekonomike mes dy shteteve, duke theksuar se tashmë ekzistojnë rreth 20 marrëveshje të nënshkruara dhe se shkëmbimet e mallrave dhe shërbimeve mes dy vendeve janë në një nivel të lartë. “Mund të them që relacionet tona të fqinjësisë së mirë janë relacione shumë të veçanta. Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë janë ndër vendet e rralla në rajon nga hapësira e ish-Jugosllavisë që çështjen e kufirit e kanë të zgjidhur”, tha Hoxhaj.
Ai, po ashtu bëri të ditur se gjatë takimit dy ministrat kanë biseduar edhe për hapjen e një pike të re kufitare mes dy vendeve, i cili do të intensifikojë bashkëpunimin.
Sipas zyrës së shtypit të MPJ-së kosovare, Hoxhaj dhe Poposki kanë biseduar edhe për përmirësimin e infrastrukturës që lidh dy vendet. Ministri kosovar me këtë rast është shprehur se Qeveria e Kosovës është shumë e përkushtuar që në një të ardhme të afërt të ndërtohet edhe autostrada e re në mes të Prishtinës dhe Shkupit.
Nga ana e tij ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Poposki, konfirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy shteteve. Sipas tij, këto raporte bazohen në disa segmente e në veçanti në domenin e ekonomisë, ku, siç tha Poposki, subjektet ekonomike në të dyja anët e kufirit kanë bashkëpunim të shkëlqyer.
Ministri Poposki shprehu përkushtimin e Qeverisë së Maqedonisë që të lehtësojë edhe më tutje këto shkëmbime tregtare, duke përfshirë edhe përmirësimin e ndërlidhjeve infrastrukturore, dhe ndërlidhjen energjetike. “Në këtë drejtim do të vendosim bazat e një bashkëpunimi të frytshëm rajonal, shembull të mirë të të cilit na jep edhe bashkëpunimi i vendosur mes kryetarëve të katër shteteve, Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, në dinamizmin e të cilit mund të kontribuojnë edhe MPJ-të e dy vendeve”, tha Poposki.
Ai ka shprehur përkrahjen konsistente të Maqedonisë në procesin e integrimit, promovimit dhe përparimit të Kosovës drejt përcaktimeve strategjike, e të cilat janë NATO dhe BE. “Ky është edhe prioriteti ynë në axhendat tona të përbashkëta dhe mendoj se mbështetja që po e japim do të jetë e afirmuar në mënyrë konsistente në të gjitha mundësitë që do të kemi në të ardhmen”, tha Poposki.
Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve rreth ideve të ndarjes së veriut të Kosovës, Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Poposki, tha se zgjidhjet në rajon nuk duhet të kërkohen në ndryshimin e kufijve, por në perspektivat e integrimit.
Friday, 21 October 2011 17:28