Lajme Shqip Saturday, 28 May 2011 11:13

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila po merr pjesë në Samitin e liderëve të Evropës Qendrore, që zhvillon punimet në Varshavë, u takua mbrëmë vonë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama në një darkë të përbashkët të liderëve pjesëmarrës në Samitin e Varshavës.

Sipas burimeve zyrtare nga Presidenca kosovare, gjatë fjalës së saj në darkën e punës, të udhëhequr nga presidenti i SHBA-së, Barack Obama,  presidentja Jahjaga tha se “roli i SHBA-së në Ballkan ka qenë në mënyrë të vazhdueshme jetik për stabilitetin dhe paqen në rajon dhe për demokratizimin e shtetndërtimin e secilit shtet”.

“Kosova si vendi më i ri në Evropë është duke ndërtuar shoqëri humane  të bazuar në barazi, rend dhe ligj. Në këtë rrugë përkrahja e SHBA-së është me rëndësi vitale”, theksoi presidentja Jahjaga.

Ajo tha se “Republika e Kosovës shpreh dëshirën për bashkëpunim të mirë me të gjitha vendet, duke respektuar barazinë, dinjitetin dhe vullnetin e të gjitha kombeve. E ardhmja e vendit tim dhe e gjithë rajonit të Ballkanit është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe kjo nuk ka alternativë”.