Athinë -Presidenti grek Karolo Papulas sot do të mbajë takim me liderët e partive të përfaqësura në Parlamentin e Greqisë, në tentim që t’i bindë të formojnë qeveri të unitetit nacional.
Nëse tentativa e këtillë e Papulasit nuk sjell fryte do të paraprijë shpërbërje e Parlamentit të sapoformuar dhe shpallje e zgjedhjeve të reja, të cilat do të mbaheshin më 10 ose 17 qershor.Hapi i këtillë i Papulasit pason pasi që edhe mandatari i tretë për përbërjen e qeverisë së re pas zgjedhjeve të së dielës, lideri i Lëvizjes socialiste mbarëgreke (PASOK), Evangelos Venizelos nuk arrit të sigurojë shumicë parlamentare për formimin e kabinetit të ri qeveritar.
Mundësia e Venizelosit që të formojë qeveri dështoi pasi që Koalicioni i majtistes radikale SIRIZA refuzoi të marrë pjesë në kabinetin e tij eventual. Lideri i SIRIZA, Aleksis Cipras pas takimit të mbrëmshëm me Venizelosin theksoi se nuk do të hyjë në asnjë qeveri, duke shtuar se kushtet e vendosura nga plani shpëtues ndërkombëtar për Greqinë janë shumë të ashpra.
Pas takimit Venizelos theksoi se sot do t’ia kthejë mandatin për përbërje të qeverisë së presidentit Karolos Papulas. Lideri i Demokracisë së Re Adonis Samaras deklaroi se Greqia mund të formojë qeveri afatgjate, të aftë që ta mbajë vendin në eurozonë, vetëm me aprovim të majtistes radikale SIRIZA, e cila e fitoi vendin e dytë në zgjedhjet e së dielës.
Demokracia e Re dhe PASOK, të cilat e përbënin qeverinë e deritanishme të Greqisë, së bashku kanë 149 vende në Parlament ose dy më pak nga 151 të domosdoshmet për sigurimin e shumicës parlamentare. (LajmeShqip.com)
Saturday, 12 May 2012 13:37