Tiranë – “Vlera të tilla, si paqja e dialogu, janë shumë të rëndësishme për një komb dhe për zhvillimin e gjithanshëm të tij”, tha Presidenti Bamir Topi, gjatë një takimi të zhvilluar sot me Kryerabinin e Izraelit, Yona Metzger dhe delegacionin që e shoqëron, gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë.
Në takimin, ku ishte i pranishëm edhe Rabini, Joel Kaplan, që drejton sinagogën hebreje në Tiranë, Presidenti Topi theksoi se , “bashkësia hebreje, e njohur zyrtarisht si bashkësi fetare në Shqipëri, do të ketë të gjithë mbështetjen e nevojshme nga shteti shqiptar dhe institucionet e tij në ushtrimin e hebraizmit në vend”.
Kreu i Shtetit nënvizoi rëndësinë e këtyre takimeve, “pasi janë tregues të qartë jo vetëm të marrëdhënieve shumë të mira miqësore e tradicionale, që ekzistojnë midis dy vendeve tona, por shërbejnë për forcimin tyre, si dhe për konsolidimin e dialogut konstruktiv mes popujve dhe qytetërimeve të ndryshme”.
Presidenti Topi vuri në dukje shembullin e rrallë të tolerancës dhe bashkëjetesës fetare dhe etnike të popullit shqiptar.
Kryerabini i Izraelit, Yona Metzger vlerësoi harmoninë dhe tolerancën, që kanë karakterizuar në shekuj bashkëjetesën fetare në Shqipëri, si dhe shprehu mirënjohjen për gjestin fisnik e shumë njerëzor të popullit shqiptar, “të besës”, në mbrojtje dhe shpëtim të hebrenjve gjatë Holokaustit.
Duke bërë një prezantim të shkurtër të riteve fetare hebraike, por dhe të punës së sinagogës tashmë të çelur para pak muajsh në kryeqytetin shqiptar, Kryerabini Metzger shprehu dëshirën dhe besimin, se edhe komuniteti fetar hebraik, do të vijojë të ketë përkrahjen e mbështetjen e nevojshme nga populli e shteti shqiptar.
Tuesday, 13 September 2011 17:39