Washington -Siç bën të ditur zyra për shtyp e Presidentit, në përfundim të kësaj mbrëmjeje mbresëlënëse e të paharruar për bashkatdhetarët tanë shqiptaro-amerikanë si dhe të pranishmit e të ftuarit e tjerë, Presidenti Topi dekoroi me “Medaljen e Mirënjohjes” respektivisht: zotin Richard Gere me motivacionin: “Me mirënjohje dhe nderim personalitetit të shquar të artit botëror, humanistit dhe veprimtarit të madh të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, i cili demaskoi e i bëri të njohur publikut amerikan, e më gjerë, krimin çnjerëzor, spastrimin etnik në Kosovë, në vitin 1999, nga makina ushtarake serbe, kundër popullsisë civile shqiptare që jetonte në trojet e veta”. Për të njëjtim motivacion u dekorua dhe Geraldo Rivera. 
Gjitashtu Kreu i Shtetit vlerësoi me “Medaljen e Mirënjohjes”: zotin Elez Hysen Biberaj me motivacionin: “Për kontributin e tij të çmuar në zhvillimet demokratike të Shqipërisë, për sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për çështjen kombëtare shqiptare dhe domosdoshmërinë e zgjidhjes së saj, si dhe fuqizimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”; Peshkopin Agathangel (Çamçe) (Pas vdekjes) me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në çështjen kombëtare, veçanërisht në krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe në mbajtjen gjallë të frymës së tolerancës e bashkëpunimit midis komuniteteve fetare në vendin tonë”;At Vasil Markon (Pas vdekjes) me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, si akt madhor me rëndësi të jashtëzakonshme për pavarësinë e vendit”.
Sali Efendi Myftinë (Pas vdekjes) me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në krijimin e institucioneve fetare të emigrantëve shqiptarë në SHBA, në mbështetjen e tolerancës fetare dhe të bashkëpunimit në dobi të interesave kombëtare”; Imam Vehbi Ismailin (Pas vdekjes) me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në edukimin atdhetar dhe të frymës së tolerancës e të bashkëpunimit midis komuniteteve fetare dhe për ndihmesë në integrimin e shqiptarëve në shoqërinë amerikane”; Dom Prenkë Sokolin (Ndrevashajn) (Pas vdekjes) me motivacionin: “Për ndihmesë të rëndësishme për mbajtjen gjallë të identitetit kombëtar dhe të harmonisë fetare tek emigrantët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për integrimin e tyre në shoqërinë amerikane”.
Gjithashtu, Presidenti Topi nderoi me Urdhrin “Nënë Tereza” zotin Van Sotir Kristo me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm dhe plot përkushtim në ndihmë të vendit amë dhe bashkatdhetarëve të tij, emigrantë në Shtet e Bashkuara të Amerikës, për punë të palodhur në mbështetje të çështjes kombëtare, veçanërisht për fitoren e pavarësisë së Kosovës si dhe për forcimin e marrëdhënieve të miqësisë tradicionale shqiptaro-amerikane”; Antoni Athanasin (Pas vdekjes) me motivacionin: “Veprimtarit të shquar të emigracionit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili gjithë jetën qëndroi i lidhur fort me fatet e kombit dhe të vendit të tij e që derën e mbajti hapur për këdo bashkëkombës që kishte nevojë për mbështetje dhe ndihmë”.
Me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi: zotin Ilir Demalija me motivacionin: “Për kurajon civile të treguar në pjesëmarrjen në shpërthimin e ambasadave, më 2 korrik 1990, akt që tronditi thellë regjimin komunist; për mbështetjen e pareshtur të zhvillimeve demokratike në Shqipëri”; zotin Agim Karagjozi me motivacionin: “Për kontribut të çmuar në zgjerimin dhe forcimin e veprimtarisë së Federatës “VATRA”, për ruajtjen e frymës kombëtare tek shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e të përkushtimit të tyre ndaj vendit amë”. (LajmeShqip.com)
Saturday, 19 May 2012 17:46