Lajme Shqip Sunday, 27 May 2012 07:00

Tiranë (PLOTESUAR 12:00)- Dështojnë negociatat PD-PS për presidentin. Takimi i sotëm mes krerëve të grupeve kuvendore të demokratëve dhe socialistëve, që u zhvillua mesditën e sotme në Kryesinë e Kuvendit, nuk dha asnjë rezultat. Astrit Patozi shoqërohej në takim nga Edmond Spaho, ndërsa Gramoz Ruçi nga Saimir Tahiri.

Menjëherë pas takimit, që zgjati më pak se një orë, kreu i grupit socialist Gramoz Ruçi bëri të ditur për mediat se PS i propozoi mazhorancës mbledhjen e një tryeze të përbashkët të kryetarëve të partive parlamentare për t’i dhënë mundësi vendit, siç tha ai, të kalojë provimin e BE-së dhe të marrë statusin e vendit kandidat.

“Partnerët tanë ndërkombëtarë na kanë vënë disa kushte për statusin. Që të mos mbetemi në klasë për herë të tretë. Të thirret një tryezë e të gjithë krerëve të partive parlamentare, ku të finalizohen katër çështje: Reforma zgjedhore, ajo parlamentare, heqjen e imunitetit të zyrtarëve dhe zgjedhjen e presidentit”- u shpreh Ruçi.

Ai theksoi rëndësinë e zgjedhjes së një presidenti të pranuar nga të gjitha palët dhe votimin e tij me konsensus që në raundin e parë, që pritet të zhvillohet të mërkurën në Kuvend. “Shpresoj në maturinë e mazhorancës, që ta vlerësojë këtë propozim të opozitës në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nuk do ta dëshiroja mos thirrjen e kësaj tryeze, pasi do të ishte një ogur i keq për Shqipërinë dhe një lajm i keq për shqiptarët. Por kjo nuk do të ishte përgjegjësia jonë:- vijoi më tej Ruçi. 

Menjëherë pas Ruçit, ishte kreu i grupit demokrat që doli para mediave, duke theksuar se takimi me homologun socialist mund të cilësohet i dështuar, pasi sipas tij, PD po përballet me ultimatumet dhe kurthet e socialistëve.

Patozi deklaroi se përmbyllja e reformave nuk ka lidhje me zgjedhjen e presidentit, ndërsa i cilësoi propozimet e opozitës si tentativë për ta futur procesin në një rrugë pa krye. “Kemi shkuar në tryezë për presidentin, ndërsa pala tjetër kishte ardhur në takim me platformën elektorale të Ramës. Çështjet e tjera që u parashtruan janë të palidhura me çështjen e zgjedhjes së presidentit.” – u shpreh Patozi.

Duke nënvizuar se koalicioni qeverisës i ka të gjitha mundësitë për ta zgjedhur vetë kreun e shtetit, Patozi theksoi se PD është e interesuar që t’i japë vendit një president gjithëpërfshirës dhe konsensual. “PD është futur në këtë proces jo për të ndjekur rrugën më të shkurtër, që na e lejon marrëveshja me aleatët tanë, po ashtu dhe ndryshimet kushtetuese. Është e mundur që të arrijmë në një produkt dinjitoz, një president konsensual, por nëse pala tjetër ka qëllime të tjera ky është një mision i dështuar”- u shpreh Patozi duke theksuar se PD e mban të hapur portën e dialogut. (LajmeShqip.com)

************************************

Tiranë – Nisin nesër negociatat mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste për presidentin, por sikurse është njoftuar nuk do jetë një takim në nivel kryetarësh. Burime nga kryesia e kuvendit bëjnë të ditur se në orën 11:00 në tryezë do të ulen krerët e grupeve parlamentare të dy partive të mëdha, PD dhe PS përkatësisht Astrit Patozi dhe Gramoz Ruci. 

Në këtë takim Patozi i PD-së do të shoqërohet nga anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike Edmond Spaho, ndërsa përfaqësuesi tjetër i Partisë Socialiste do të jetë Sajmir Tahiri.

Dy kryetarët e partive, Patozi e Ruci kanë konfirmuar takimin mes palëve. Ka qënë kreu i grupit PD, Astrit Patozi, i cili një ditë më parë ftoi Rucin të nisin negociatat për këtë cështje.

“Partia Demokratike më ka mandatuar mua së bashku me zotin Edmond Spaho si negociatorë për t’u konsultuar me përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për të eksploruar të gjitha mundësitë e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit me një konsensus sa më të gjerë” thuhej në letrën e tij Astrit Patozi.

Ndërkaq duhet theksuar se të gjitha takimet e Berishës dhe Ramës me partitë e tjera parlamentare për çështjen e presidentit janë zhvilluar në nivel kryetarësh, ndërkohë që është shmangur vetëm takimi kryesor mes dy politikanëve më të rëndësishëm të vendit. (LajmeShqip.com)