Lajme Shqip Thursday, 10 May 2012 21:56

Tiranë -Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u shpreh sot në mbrëmje, në një intervistë televizive, se takimi me kreun e LSI-së, Ilir Meta, “ishte për një shqetësim shumë serioz për të plotësuar kushtet që Shqipëria të zgjedhë një President që të mishërojë unitetin kombëtar, që do të vendosë fatin e provimit tonë në vjeshtën e ardhshme, që Shqipëria të mos mbesë për të tretin vit me radhë në provimin e vjeshtës për statusin e vendit kandidat”.  

Duke iu referuar takimit me kreun e LSI-së, Rama tha se “ne kemi bërë publik me kurajo dhe ambicie një vizion për një Rilindje Shqiptare. Rruga  kalon edhe përmes ndryshimit të sjelljeve tradicionale në udhëkryqe të ndryshme kur bëhet fjalë për situata madhore, në situata si çështë zgjedhja e Presidentit të Republikës, ku nevojitet bashkëpunimi dhe bashkërendimi i forcave”.

Rama nënvizoi se “i kam bërë ftesë edhe Kryeministrit dhe kryetarëve të partive të tjera. Kreu i LSI-së u përgjigj pozitivisht. Më ka thënë ta takoj për t’i thënë në sy lidhur me atë shqetësim që kisha shprehur në ftesën time publike”.

“E vërteta është që edhe me Kryeministrin jam takuar dy herë në Presidencën e Republikës. Jam takuar edhe kur u kërkua takim nga përfaqësuesit e BE-së dhe nuk kam shprehur asnjë kundërshtim për t’u takuar nëse do të ishte nevoja apo kushtet”, tha Rama, duke shtuar se do të takohet edhe me z. Berisha.

“Qëndrimet politike janë mbajtur në rrethana të qarta dhe janë pjesë e historisë. Unë vetë nuk ndjej asnjë arsye që të më bëjë të ndihem keq për gjithçka që kam thënë si kryetar i PS-së. Por është e rëndësishme të kuptohet që PS, përmes meje dhe të tjerësh, kemi hyrë me vullnet për të plotësuar kushtet që politika shqiptare të japë shembull përballë familjes europiane dhe karshi shqiptarëve që kanë qëndruar dhe qëndrojnë të përçarë prej shumë e shumë kohësh”, tha Rama. (LajmeShqip.com)