Lajme Shqip Tuesday, 15 May 2012 18:41

Tiranë – Kreu i opozitës Edi Rama akuzoi kryeministrin Berisha, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste,  se po tenton të blejë me para votat e deputetëve të PS-së për zgjedhjen e presidentit. Rama nënvizoi se PS-ja nuk do të votojë asnjë kandidat të demokratëve dhe nuk do të imponojë asnjë emër nga opozita.

“Dy deputetëve të PS u janë ofruar para për votën e presidentit. Ka ndodhur po kështu kur kryeministri kërkonte të çante me para në dorë grupin tonë parlamentar gjatë bojkotit të parlamentit, ka ndodhur kështu në zgjedhjen e presidentit në vitin 2007 dhe po ndodh edhe sot. Kryeministri kërkon vota që nuk i ka.”- deklaroi Rama.

Duke theksuar sërish rëndësinë që ka zgjedhja e një presidenti konsensual për statusin kandidat të vendit, kryesocialisti Rama theksoi e mazhoranca “nuk ka vullnet për të vendosur interesat e vendit mbi interesat e palëve.” Nga ana tjetër Rama nënvizoi vendosmërinë e opozitës për të vijuar komunikimin me krerët e partive parlamentare, siç tha ai, në të mirë të interesave të vendit.

“Statusi kandidat e kërkon dialogu. Ne kemi komunikuar dhe do të komunikojmë me partitë e tjera. Kemi hapur komunikim me LSI-në, PDIU-në dhe do të synojmë të komunikojmë edhe me PD dhe PR e natyrisht me PBDNJ.”- u shpreh Rama. 

“Duam një president që të luajë rol në marrjen e provimit të rëndësishëm të Shqipërisë në Bruksel. Duam një president të paanshëm për zgjedhjet e ardhshme. Duam një president që të mos jetë noter i cilës do parti, përfshirë edhe PS-së”- vijoi më tej kryesocialisti. (B.W)