Lajme Shqip Tuesday, 29 May 2012 12:26

Tiranë (PLOTESUAR 18:22)- Kryetari i Partisë Socialiste iu përgjigj kryeministrit Berisha përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social “Twitter”. Rama theksoi rëndësinë që sipas tij, ka mbledhja e tryezës së krerëve të partive parlamentare dhe shtoi se PS kërkon “vullnet politik jo dokrra!”

“Saliu llastohet çuditshëm si teze nazemadhe që po i luten për kafe, ndërkohë që sot tryezën e dialogut politik e kërkon interesi kombëtar! Reformat i ka bllokuar Kryeministri se s’ka vullnet politik për zgjidhje politike, jo teknicienet e matematicienet! Dialog dmth vullnet jo kafemuhabet.Të bardhën të zezë e të zezën të bardhë Kryeministri e ka mësuar në shkollën e Enverit, s’ia kalon kush këtu, po unë përsëris: Vullnet politik jo dokrra!”- shkruan Rama në “Twitter”. (LajmeShqip.com)

*************************************

Tiranë (PLOTESUAR 18:10)- Kryeministri Sali Berisha, kërkoi sot, në mbledhjen e kryesisë së kësaj force politike, që Kreu i PS-së Edi Rama të heqë dorë nga retorikat bllokuese dhe të bashkëpunojë për zgjedhjen e një presidenti konsensual.

Duke u ndalur te takimet me aleatët për zgjedhjen e Presidentit, Kryeministri theksoi se “spikat qartë vullneti për t’i dhënë vendit Presidentin me vlerat dhe virtytet, aftësitë dhe integritetin e merituar për detyrën e lartë të kryetarit të shtetit”. Ndërkohë sipas, tij “Kreu i PS-së Edi Rama kërkon ta shndërrojë çështjen e zgjedhjes së Presidentit në pazar”.
Duke theksuar vullnetin e mazhorancës për zgjedhjen e një presidenti konsensual, Berisha tha se kushtet e vendosura nga opozita dëshmojnë vullnetin e kreut të PS-së për të bllokuar procesin e integrimit. “Ne po bëjmë përpjekje maksimale për të gjetur personin që merr 3/5 e votave, sepse bashkë me Ramën kemi vendosur që 3 raundet e para të jenë me 3/5 e votave. Ne u angazhuam me z. Rama, në një proces historik në vitin 2008 me reformën kushtetuese, ku natyrisht patëm parasysh dhe krijuam të gjithë mundësinë që kryetari i shtetit të gëzojë mbështetjen më të gjerë të mundshme, kur ajo mund të arrihet”, tha Berisha.

“Nëse Rama do heqjen e imunitetit që nesër le ta votojmë. Në seancën e nesërme ne jemi të gatshëm të votojmë për heqjen e imunitetit dhe ndryshimet në kodin e procedurës penale “Shqiptarët nuk kanë nevojë për parada negative televizive, por kanë nevojë të zbatohen rekomandimet e ODIHR-it dhe të votohet kodi zgjedhor, rregullorja e parlamentit”, tha Berisha. Kryeministri i kujtoi kreut të PS-së, i cili paralajmëroi sot për nisjen e një krize politike, se “Kushtetuta e ka parashikuar që edhe kur nuk votohet, quhet votim dhe raund i kaluar”.

Në rast se opozita dëshiron të testojë vullnetin e kësaj maxhorance, atëhere le ta provojë dhe pastaj ti thotë shqiptarëve, që këta nuk duan dhe për këtë fillon kriza. Shqiptarët nuk kanë nevojë për retorikë por për vepra, jo për akzua boshe, por për veprime konkrete”, vijoi Berisha.Ai ftoi opozitën që të vlerësojë ofertën e sinqertë të maxhorancës për zgjedhjen e Presidentit dhe më pas ti marrë me radhë të gjitha reformat e tjera. (LajmeShqip.com)

******************************************

Tiranë (PLOTESUAR 15:00)- Kreu i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi sot se maxhoranca po bën përpjekje maksimale drejt një zgjidhje konsensuale për zgjedhjen e Presidentit të ri.

“Duke patur në konsideratë edhe faktin që nesër është parashikuar raundi i parë për votim, do të intensifikohen të gjitha përpjekjet e partive parlamentare të maxhorancës, duke mbledhur edhe konsultimet përkatëse brenda forumeve të çdo bordi politik, duke nisur nga PD dhe duke vijuar me të gjitha forcat e tjera, PDIU, PR dhe LSI.  Më pas, sëbashku, në mënyrë që të ndërtohet një raport tepër serioz për t’i dhënë mundësi opozitës që të përfshihet edhe ajo, shpresojmë dhe dëshirojmë me vullnet poltik për t’i kontribuar këtij procesi”, tha Meta.

Sipas tij, “nuk është diskutuar ende asnjë emër konkret nga maxhoranca, apo si propozime të maxhorancës sepse këto do të diskutohen më pas”. “Shpresojmë që opozita të përfshihet në këtë proces sepse është në interesin e saj, në interesin e vendit, të reformave, që edhe opozita të ketë zërin e saj, idetë e saj, të bëjë propozimet e saj”, deklaroi kreu i LSI-së.

-Pak minuta pas takimit me kryetarin e PBDNJ Vangjel Dule kryeministri Berisha është takuar me ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu. Burime zyrtare thanë se kryediplomati amerikan ka hyrë në selinë e kryeministrisë rreth orës 10.20 minuta. Nuk dihet zyrtarisht qëllimi i vizitës së Arvizu në zyrën e Berishës, por mendohet se zgjedhja e presidentit dhe mos arritja deri më tani e konsensusit për këtë process të jetë temë e bisedës Berisha – Arvizu. (LajmeShqip.com)

**********************************************

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha, pas takimit me kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), Vangjel Dule, tha se maxhoranca është në kërkim të konsensusit me opozitën për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, ndërsa pohoi se kandidaturat për Kreun e shtetit duhet të vijnë nga politika, drejtësia dhe diplomacia.

“Ne jemi në kërkim të konsensusit me opozitën. Por, të them se kjo do të arrihet që nesër është pak e vështirë, por e mundshme. Por edhe nëse, në kërkim të konsensusit me opozitën, do shtyhet votimi, kjo nuk përbën ndonjë problem”, tha Berisha. Kryeministri, duke informuar gazetarët për takimin me kryetarin e PBDNJ-së, që zgjati vetëm 15 minuta, tha se konsultimet për ‘presidentin’ do të vijojnë gjatë ditës së sotme (ora 13:00), me mbledhjen e kryetarëve të partive të maxhorancës.

“Unë shfrytëzoj rastin të ftoj opozitën se është në interesin më të mirë të vendit të angazhohet në këtë proces, në të cilin ne jemi të vendosur. Pavarësisht faktit se marrëveshja e 2 shtatorit 2009 përcakton angazhimin e PD-së dhe LSI-së për ta zgjedhur me miratimin mes tyre presidentin e Republikës ne jemi të vendosur që këtë mirëkuptim ta shtrijmë në të gjithë spektrin parlamentar dhe ta bëjmë me një kandidaturë që të votohet gjerësisht”, theksoi kryeministri Berisha.

Unë, vijoi ai, “dua ta ftoj opozitën, se gjykoj që është dhe interesi i saj më i mirë, në investimin për mbështetjen e një personaliteti që do të zgjidhet bashkarisht dhe në pesë vitet që vijnë do të mund t’i qëndrojë besnik Kushtetutës, edhe për detyrimin që ka nga votëbesimi që i bëhet nga tërë spektri politik, votëbesim që do të parakuptonte për të një detyrim madhor për qëndrime jopartiake, por për qëndrime tërësisht kushtetuese”. I pyetur në lidhje me deklaratën e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, se mund të arrihet një konsensus për kandidaturën e vetëshpallur të Fatos Nanos, Berisha tha se “Dule lobon fuqishëm për Nanon dhe unë nuk jam në dijeni të rezultateve të lobimit të tij, por ne e kemi shprehur qëndrimin tonë”.

Dule: Presidenti i ri nga rradhët e politikës, mbështesim Nanon
Kryetari i Partisë Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, tha sot, pas takimit me Kryeministrin Sali Berisha, për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, se “është me rëndësi që presidenti i ri të vijë nga radhët e politikës”. “Një president jo nga radhët e politikës zhvlerëson rolin e politikës dhe politikanit në opinionin pubik dhe shoqëri. Ekzistojnë të gjitha kushtet për të gjetur një president konsensual, i cili do të kalojë edhe kërkesën kushtetuese të tre raundeve të para edhe për 84 vota”, theksoi Dule.

Kryetari i PBDNJ-së u shpreh se “sigurisht momentet po kalojnë dhe nuk do të jetë aspak pozitive, që në seancën e nesërme parlamentare të shkojmë pa kandidaturë. Një proces serioz do të kërkonte që prej ditësh opinioni dhe qytetarët të ishin njohur me mendimet e forcave politike që i përfaqësojnë në lidhje me kandidaturat përkatëse, që do të ishin edhe objekt diskutimesh për arritjen e konsensusit”.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve nëse u fol me Kryeministrin Berisha për emra konkretë dhe për një propozim të PBDNJ për ish-kryeministrin Fatos Nano, Dule tha se “emra konsensualë ka në radhët e politikanëve të të gjitha forcave politike, aktivë për momentin apo të tërhequr. Në lidhje me kandidaturën e zotit Nano përditë e më tepër po konstatojmë se bëhet edhe më e pranueshme prej palëve dhe ka shumë gjasa që ajo do të arrijë konsensusin e të gjitha forcave politike”. (LajmeShqip.com)