Tiranë (PLOTESUAR 22:15)- Një listë me emra kandidatësh ka nisur të diskutohet gjerësisht në media me emra kandidatësh për president. Mes tyre janë juristët Ledi Bianku, Kristaq Traja dhe Xhezair Zaganjori. Po ashtu në listë është edhe emri i Ardian Fullanit dhe emrat e diplomatëve Ferid Hoxha, Artur Kuko dhe Mimoza Halimi.
Pak orë para raundit të parë të votimit për presidentin e ri, mazhoranca duket se ka kandidatin e saj, dhe ai është ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori. Më shumë lakohet emri i Zaganjorit, i cili është anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Prof. As. Dr. Xhezair Zaganjori lindi më 9 mars të vitit 1957 në Shkodër, Shqipëri.
U diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1981. Që nga kjo kohë ai ka qenë lektor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, i të Drejtës Evropiane dhe i të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në Shkollën e Magjistraturës dhe në Shkollën e Studimeve Evropiane, Tiranë. Gjatë viteve 1992-1997 ka qenë Ambasador i Republikës së Shqipërisë në RF të Gjermanisë. Në vitin 1993 merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike” dhe në vitin 2002 “Profesor i asociuar”. Ka qenë bashkëpunëtor shkencor pranë Institutit Max-Planck, Heidelberg. Në vitin 1991 është zgjedhur anëtar i Gjykatës së Pajtimit dhe Arbitrazhit pranë OSBE-së me seli në Vjenë. Është autor i një sërë botimesh shkencorë brenda dhe jashtë vendit. Është pjesëmarrës aktiv në Kongrese e Konferenca të ndryshme ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit. Që nga viti 2003 ushtron funksionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. (LajmeShqip.com)
**************************************
Tiranë (PLOTESUAR 21:00)- Kryeministri dhe njëkohësisht kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbledhur sërish rreth orës 18:30 në kryesinë e Kuvendit, aleatët e mazhorancës, për të dytën herë për të diskutuar mbi zgjedhjen e Presidentit të ri.
Në takim kanë qenë të pranishëm kreu i LSI-së, Ilir Meta, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe kreu i PR-së, Fatmir Mediu. Pas takimit, kreu i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi per mediat se në orët në vijim publiku dhe media do njiheshin dhe me një listë emrash për president që vinin nga diplomacia, drejtësia dhe politika. Në mënyrë që, siç u shpreh lideri i LSI-së, seanca e parë e votimit në Kuvend të kishte kandidatura për postin e kreut të shtetit. “Do të kemi një listë sa më përfaqësuese dhe konsensuale. Do punojmë deri në momentet e fundit përpara seancës së parë. Do përpiqemi të kemi një president që në raundin e pare”, u shpreh Meta.
Takimi i Berishës me aleatët mbrëmjen e kësaj të marte në ambientet e Kryesisë së Kuvendit ishte i dyti i këtij lloji gjatë ditës së sotme. Pritet sërish një mbledhje e aleatëve me kryeministrin Berisha në selinë e Kryesisës së Kuvendit pas orës 21.00. Ky është takimi i tretë i aleatëve për ditën e sotme. Burime të brendshme nga PD pohojnë se pas këtij takimi pritet të ketë publikim emrash konkretë për postin e Presidentit që do hidhen nesër për votim në seancën e posacme të Kuvendit. (LajmeShqip.com)
*********************************
Tiranë (PLOTESUAR )-Pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Demokratike, Kryeministri Sali Berisha ka mbledhur pasditen e sotme rreth orës 17 e 45 minuta sërish aleatët e mazhorancës në kryesinë e Kuvendit.
Në takimin me dyer të mbyllura ku marrin pjesë krerët e LSI, PDIU dhe PR pritet të konsultohen emra konkret për postin e kreut të shtetit, me qëllim që nesër në raundin e parë të votimit të shkohet me kandidat. Ndërkaq edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbajtur nje takim me anëtarët e kryesisë së saj, ku është mandatuar kreu i LSI-së, Ilir Meta për negociatat për Presidentin.
Kreu i LSI-së Ilir Meta, pas përfundimit të mbledhjes bëri me dije se mazhoranca po punon intensivisht në mënyrë që nesër të ketë një presidnet, ndërkohë theksoi se nuk ka ende një emër konkret. “Sic dhe ju po e ndiqni me interes, përpjekjet nga ana e mazhorancës janë majft intensive, vullneti pozitiv, disa kritere janë bërë publike dhe më parë. Bazuar në to, në orët në vijim besoj se do ketë një listë me emra që do të komunikohet. Ende nuk ka liste, ne po punojmë që ta kemi një listë sa më përfaqësuese dhe konsensuale që të arrrihet objektivi që të kemi president që në raundin e parë mendoj se do jetë listë përfaqësuese”,- theksoi Meta. (LajmeShqip.com)
***********************************************************
– Kryesia e LSI-së, e mbledhur pasditen e sotme, mandatoi kreun e kësaj partie, Ilir Meta për fillimin e negociatave me partitë e tjera për Presidentin. 
Mbledhja e kryesisë së LSI-së u zhvillua para takimit me aleatët, që nisi pasditen e sotme rreth orës 18:30 tek kryesia e Kuvendit.
Pas përfundimit të mbledhjes, kreu i LSI bëri me dije lajmin, duke nënvizuar se kryesia i dha besimin që ai të përfaqësojë partinë në bisedimet për kreun e ri të shtetit .
Meta deklaroi se LSI nuk ka një emër konkret për Presidentin e ri, ndërkohë shprehu edhe një herë qëndrimin për një president konsensual. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 29 May 2012 19:04