Korçë – Premiera e komedisë “Beqarët”, shkruar nga Teodor Laço dhe vënë në skenë nga regjisori Gëzim Kame, u shfaq të dielën në mbrëmje nga trupa e teatrit “Andon Zako Çajupi”, në qytetin e Korçës.
Dramaturgu Teodor Laço ashtu si dhe në disa komedi të tjera të tij, si “Shi në plazh”, “Një nuse për Stasin” edhe tek “Beqarët”, ka vënë në shënjestër nëpërmjet humorit të tij të hollë beqarinë, besnikërinë absurde ndaj një dashurie të humbur e nënvleftësimin e vetvetes, që vihet re edhe tek personazhet kryesore të kësaj komedie.
Në rolet kryesore interpretojnë Ligoraq Riza, Marko Bitraku, Natasha Andoni, Zamira Kita, Andrea Pepi dhe Mirjana (Deti) Laço, e cila është rikthyer përsëri bashkë me autorin mes kolegëve të saj të Korçës.
Një mjek gjinekolog e një profesor letërsie, të cilët pas zhgënjimeve me “dashurinë e parë” nuk duan që të martohen edhe pse kanë shumë raste dhe vetëm kur “fati” i merr për dore dhe i çon për pushime në një ishull të Greqisë, futen në një aventurë të pazakontë, ku gjejnë veten dhe të dashurat e zemrës. Këtu e vë theksin social edhe regjisori Kame, duke përcjellë tek të rinjtë mesazhin, se martesa si një nga ngjarjet më të rëndësishme në jetën e njeriut duhet të ndodhë më shumë si një veprim i duhur logjik e natyral, se sa pasojë e një dashurie të aluduar.
Fundi i komedisë është i lumtur, vjen përmes situatash mjaft komike, me një lojë realiste e plot nur komik nga stafi i aktorëve, duke e bërë spektatorin të qeshë me çiftet e reja, që dashuria i bën si ‘fëmijë’ edhe pse janë beqarë të vonuar.
Teodor Laço është një nga dramaturgët më në zë të skenës shqiptare edhe pse numrin më të madh të vënies në skenë të pjesëve të tij teatrale e ka patur me teatrin “Bylis” të Fierit, ku ka punuar për mjaft vite si libretist i tij.
“Korça ka nxjerrë trupën më të mirë të aktorëve në vendin tonë, krahasuar edhe me atë të Teatrit Kombëtar. Këtu punuan e bënë vepër disa nga regjisorët më të mirë të teatrit shqiptar, por edhe për faktin se aktorët e Korçës patën një angazhim të madh e kontribut të dukshëm në film, aq sa me të drejtë shpesh spektatori e cilësonte Kinostudion “Shqipëria e re”, “Korça- Film””, u shpreh Laço.
Komedia “Beqarët”, do të shfaqet në sallën e teatrit të bashkisë në ditët në vazhdim dhe do të gjallërojë më shumë edhe atmosferën e festave të fundvitit.
Monday, 05 December 2011 11:00