Shkup – Në Maqedoni pothuaj se asnjëherë nuk është ndjerë fuqia e veprimit të qytetarëve përmes ndonjë organizate joqeveritare, sepse ata në shumicën e rasteve përfundojnë me tendenca për pushtet ose krijohen për të mbrojtur interesa të ngushta personale. Zakonisht lideri i tyre gjen rrugën e tij në ndonjë nga partitë politike dhe në një farë mënyre keqpërdorë pozitën e tij si përfaqësues i sektorit civil. Ndërsa në kushte normale demokratike OJQ-ja funksion në mënyrë të pavarur nga subjektet politike.
Kështu e kanë vlerësuar aktivistët dhe përfaqësuesit e sektorit civil vendimin e fundit të Artan Grubit, përfaqësues i lëvizjes “Zgjohu” të mbështesë dhe bashkëpunojë me Bashkimin Demokratik për Integrim në zgjedhjet e 5 qershorit.
Sipas gjitha gjasave Grubi do të gjendet i katërti në listën e kandidatëve për deputetë të BDI-së në njësinë e dytë zgjedhore. Sipas tyre, e njëjta vlen edhe për Valon Belën i cili shndërroi “Realitetin” në parti politike të quajtur Lidhja Shqiptare ndërsa si e tillë u shkri në Partinë Demokratike Shqiptare dhe me gjasë do të jetë kandidati i parë për deputet në njësinë zgjedhore numër 2. Sipas drejtorit të Institutit Liberta, Edmond Ademi ne kurrë nuk kemi pas OJQ të mirëfillta, por ato kanë qenë gjithmonë degë partiake dhe kanë manipuluar me ndjenjat e popullit.
Për “Zgjohu” gjithmonë është ditur se kryen detyrat që i merr nga kreu partiak i BDI-së. Tani ka ardhur koha kur BDI-ja mundohet t’ua shpaguaj punën e bërë, duke i përfshirë kryesuesit e saj si kandidat partiak. Dhe duke shpresuar se edhe një herë do e gënjej popullin, që t’ua jep besimin atyre që nën petkun e organizatave joqeveritare, kanë fshehur ambiciet politike e partiake. Ky është dështim i sektorit civil shqiptarë”, ka deklaruar Ademi.
Sipas aktivistit Artan Sadiku, një individi nuk mund ti gjykohet dhe aq më pak t’i ndalohet të merr pjesë në jetën politike, por nga ana tjetër veçanërisht ata që janë paraqitur si bartës të sektorit civil, nuk mund të pretendojnë të bartin meritat e organizatave të tyre me vete në subjektet e ndryshme partiake të cilave vendosin t’u bashkohen.
“Kjo sepse një individ asnjëherë nuk mund vetë të ndërtojë organizim civil dhe prandaj pas largimit eventual në skenën formale politike, organizata duhet të vazhdojë aktivitetin me aktivistët tjerë. Shoqëria civile nuk lind nga dy-tre individë, dhe rrjedhimisht as nuk mund të vdesë nga largimi i tyre nga ajo. Aktivistët e vërtetë nga ana tjetër ngelin të dedikuar në idenë qytetare dhe këtu mund të vihet në pyetje sinqeriteti i atyre që largohen, por gjithsesi kjo në fund të fundit është zgjidhje e tyre personale që nuk mund të barazohet me sektorin civil si të tillë, si tërësi”, ka thënë Sadiku, i cili ka theksuar se në bazë të ndodhive të fundit këta organizata joqeveritare nuk kanë pasur asgjë qytetare në to përpos një pretendimit të rremë për të ndërtuar një imazh që më tej do ta bartin në subjektin politik.
Nga ana tjetër për Albert Musliun, kryetar i Asociacionit për Iniciativa Demokratike ka thënë se vendimet personale të disa individëve nuk mund të gjykohen por problemi qëndron në atë se në Maqedoni ka pak organizata civile ndërsa një person nuk mund të mbajë dy poste edhe në politikë edhe në sektorin civil”.
Realisht, këto nuk janë gjëra që nuk kanë ndodhur më herët, edhe te pala maqedonase ndodhin oscilime të individëve nga OJQ-të në parti politike. Problemi qëndron në atë se nuk mund të mbahen dy poste, pra nuk mund të jesh edhe në sektorin civil në të njëjtën kohë edhe në politikë. Largimi i personave nga organizatat është hendikep për vetë sektorin civil shqiptar sepse ai është shumë i vogël dhe shumë pak ka iniciativa”, ka thënë Musliu.
Ai është shprehur optimist se personat në largim do t’u lënë hapësirë veprimi individëve të rinj dhe të rinjve në përgjithësi të cilët sipas Musliut janë më mendjehapur dhe kanë potencial veprimi.
Wednesday, 27 April 2011 18:22