Lajme Shqip Monday, 26 March 2012 14:00

Alergjitë e shkaktuara nga rritja e temperaturave dhe shtimi i pluhurit janë një ndër sëmundjet e stinës. Pas largimit të virozave, numrin më të madh të rasteve që paraqiten tek mjeku, e zënë pacientët të cilët vuajnë nga alergjitë.

Mjekët alergologë theksojnë se problemet në rrugët e sipërme të frymëmarrjes janë më evidente në këtë periudhë, të cilat shoqërohen me tështima, rrufa si dhe bllokim të hundëve. Ndërkohë që problemet e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes, pikërisht astmat, janë më të pakëta në këtë stinë. Rritja e temperaturave dhe shtimi i pluhurit gjatë këtyre muajve, pikërisht në muaj prill dhe maj, rrit edhe numrin e personave alergjikë.

Alergjia në të shumtën e rasteve, sipas mjekëve, manifestohet me tështima të shpeshta, sekrecione, kruarje, skuqje dhe bllokim të hundëve. Por shpesh herë manifestohet edhe me kruarje dhe skuqje sysh. Moshat që preken nga alergjitë gjatë këtyre muajve shfaqen në moshat nga 5 vjeç deri në 55 apo edhe 60 vjeç.

“Rekomandohet që këta persona të lajnë shpesh duart, fytyrën dhe sidomos flokët, për të larguar polenët e luleve që mbeten në trup dhe që janë shqetësuese”, pohojnë mjekët alergologë.

Ndërsa një kujdes i veçantë duhet treguar edhe ndaj ushqimeve që japin alergji. Po ashtu duhen shmangur aktivitetet fizike si, vrapimet, shëtitjet me biçikletë ose çfarë do lloj aktiviteti tjetër sportiv në mjedise të hapura dhe me gjelbërim.