Tiranë- Nikolla Popovski, ministër i jashtëm i Maqedonisë ka mbërritur në Tiranë me ftesë të ministrit të jashtëm Edmond Haxhinasto, 3 ditë pasi në Shqipëri ka filluar regjistrimi i popullisë dhe kur minoriteti maqedonas ka deklaruar se do ta bojkotojë këtë proces.
Gjatë konferenvës për mediat të dy ministrat ndanë të njëjtin mendin se “vlerat europiane të BE-së përcaktojnë proceset e regjistrimit të popullsisë në të dy vendet.”
Duke u ndalur në regjistrimin e popullsisë në Shqipëri, dhe deklarimin e minoritetit maqedonas se do të bojkotojnë procesin, ministri Haxhinasto dha garancinë se censusi do të zhvillohet sipas standardeve europiane, dhe se rezultati do të jetë në përputhje me realitetin.
“Mendoj se procesi i censusit ofron të gjithë hapsirën dhe garancinë e nevojshme që rezultati të jetë në përputhje të plotë me realitetin e minoriteve në Shqipëri. Cdo pretendim i kundërt me këtë ka një ndikim të fortë politik, i panevojshëm dhe i parëndësishëm,”- deklaroi Haxhinasto
Shefi i diplomacisë shqiptare nënvizoi se ligji për regjistrimin e popullsisë është bazuar në zbatimin e standardeve më të mira europiane, dhe nuk mund të ketë ndryshe, sepse Shqipëria ëshët shembull në kuadër të zbatimit të të drejtave të minoriteteve.
“Nuk janë të rëndësishme përqindjet por zbatimi i atyre të drejtave që i përkasin çdo minoriteti. “- theksoi më tej ministri Haxhinasto.
Popovski do të takohet edhe me kryeministrin, Sali Berisha, kryetaren e parlamentit, Jozefina Topalli, presidentin Bamir Topi dhe minoritetin maqedonas në Shqipëri.
Monday, 03 October 2011 11:41 