Tiranë – Viti 2011 ka shënuar arritje të mëdha në sektorin e komunikimeve elektronike, tha të shtunën Genc Pollo, ministër i Inovacionit, Teknologjisë së Informacionit e të Komunikimit (MITIK).
Duke analizuar ecurin e punës së ministrisë që ai drejton, Pollo tha se “si pasojë e numrit të operatorëve, të masave rregullatore për tarifimin me shumicë dhe portabilitetit të numrit për telefoninë celulare, është rritur konkurrenca midis operatorëve celularë, janë ulur çmimet në përgjithësi, si dhe janë rritur mundësitë e zgjedhjeve për përdoruesit, përmes paketave të shërbimeve të ofruara nga operatorët, në kushtet e konkurrencës”.
Sot, vijoi ai, “gjithkush mund të flasë me gjithkënd, madje sa gjatë të dojë, pasi çmimet kanë bërë pikiatë, krahasuar jo me 10, por edhe me 4 vjet më parë”. Pollo bëri të ditur se “vetëm këtë vit çmimet, jo thjesht e paketave, por edhe çmimet e të gjithë abonentëve me kontratë, sipas shërbimeve, janë ulur nga 18 % deri në 57%. Kjo është mënyra më e mirë për të lidhur shqiptarët, që numrin e celularëve për person e kanë më të lartën në Evropë. Është lënë pas koha e kërkesës “më thirr se nuk kam lekë në celular”. Kjo në sajë të konkurrencës, pra të rregullimit tarifor dhe të portabilitetit”.
Tani, shtoi ai, “përmes shërbimit 3G ofrohet broadband mobile nga kompanitë Vodafone e AMC dhe së shpejti, në javët e ardhshme, nga një kompani e tretë. Pra do të kemi internet të shpejtë në pëllëmbën e dorës. Do të mund të informohemi në çast, të informojmë në çast dhe gjithmonë e më shumë do të kryejmë punë në çast”.
Iniciativa e Pikave të Aksesit Publik (PAP) e Postës Shqiptare, ishte një pikë tjetër të cilën trajtoi Pollo gjatë fjalës së tij. Ky shërbim, theksoi ai, “i i cili i jep cilitdo mundësinë e përdorimit falas të internetit, në 550 zyrat postare në të gjithë Shqipërinë, ka shënuar gjatë vitit që shkoi 4.1 milion përdorues. Këtë vit do të zgjerojmë më tej nismën PAP, duke trefishuar numrin e Pikave të Aksesit Publik (PAP)”.
Ministri, po ashtu vlerësoi si mjaft pozitive ecurinë e punës lidhur me programin e MITIK për Qeverisjen elektronike. “Gjatë vitit 2011, Qeverisja elektronike, u ngrit në një nivel të ri”, tha Pollo.
Sipas tij, “që në nëntor të vitit të kaluar, kanë filluar të ofrohen shërbimet e platformës së Cloud Computing të Qeverisë Shqiptare, e cila mundëson hostimin e sistemeve të qeverisjes elektronike (baza të dhënash, aplikime dhe shërbime për qytetarët dhe biznesin)”. Kjo platformë, theksoi Pollo, “është e para dhe e vetmja platformë qeveritare për Cloud Computing e ngritur në rajonin e Evropës Juglindore”.
Sistemi E-Cabinet, vijoi më tej ministri Pollo, “pësoi një ndryshim rrënjësor, duke bërë pjesë të sistemit mbi 1500 nëpunës të ministrive dhe duke përfshirë në platformën e re e-Aktet të gjithë hapat e nevojshme për hartimin e akteve ligjore, duke transformuar procesin legjislativ në qeveri në një procedurë tërësisht elektronike”.
Ky proces, bëri të ditur Pollo, “po pasohet nga implementimi i sistemit E-parlament, më tej E-President dhe Gazeta Zyrtare Elektronike, sisteme të cilët do të kompletojnë procesin e hartimit dhe miratimit të legjislacionit në mënyrë digjitale”.
Po ashtu, nënvizoi ai, “gjatë vitit 2011 është vijuar me zgjerimin e rrjetit qeveritar Govnet, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve te përqendruara, të sigurta dhe me standarde bashkëkohore për qeverisjen elektronike, për të gjitha ministritë, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qarqet kryesore të vendit”.
Duke folur për disa nga pritshmëritë që ka MITIK për vitin 2012 Pollo tha se në vitin e ardhshëm “shumë shërbime thelbësore të shtetit, si prona, tatimet dhe shendetësia, planifikojmë të jenë digjitale. Ndërkohë, do të vazhdojë plotësimi i legjislacionit që ofron një klimë miqësore ndaj biznesit, mbron konsumatorin, siguron konkurrencën dhe luftën kundër monopoleve të kujtdo qofshin ato”.
Saturday, 14 January 2012 16:30