(E plotësuar) Janë arrestuar 15 persona të kombësisë serbe në Brezovicë gjatë një operacioni policor, i realizuar në kuadër të Komunës së Shtërpcës.
Këtë për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Sipas tij, arsyeja e arrestimit është bërë për dyshimin e keqpërdorimit të autorizimeve ekonomike si dhe shkatërrimin e pyjeve.
“Sot rreth orës nëntë të mëngjesit ka filluar operacioni, i cili operacion është realizuar nga komuna e Shtërpcës. Në këtë operacion janë arrestuar 15 persona të kombësisë serbe dhe të njëjtit janë në procedurë të intervistimit nga hetuesit policor. Janë arrestuar nën dyshimin e keqpërdorimit të autorizimeve ekonomike si dhe shkatërrimin e pyjeve”, ka thënë Kelani.
Ndryshe, ai tha se varet nga gjykata çfarë mase do të jap që Policia e Kosovës të veprojë në bazë të vendimit në fjalë. /Telegrafi/
ROSU arreston 15 serbë në Brezovicë
Drejtori i Zyrës Serbe për Kosovë, Marko Gjuriq ka njoftuar se Njësiti Special i Policisë së Kosovës “ROSU”, ka arrestuar 15 persona të nacionalitetit serb, njëherësh punëtorë të ndërmarrjes “Sharri” në Brezovicë, transmeton Indeksonline.
Gjuriq ka thënë se ky veprim është shkelje e Marrëveshjes së Brukselit dhe provokim i drejtpërdrejtë ndaj të gjithë Serbisë. Për këtë arsye ai ka thënë se do të thërrasë një mbledhje urgjentë të qeverisë, raporton B92.
“Këtë mëngjes, pak pas orës dhjetë, njësite rëndë të armatosura të Policisë së Kosovës ROSU kanë bastisur parkun nacional Sharri në Brezovicë, duke arrestuar të gjithë punëtorët që gjendeshin aty”, ka thënë Gjuriq në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi nga Brukseli, duke shtuar se mes të arrestuarve është edhe drejtori i parkut.
Sipas tij, aktualisht të arrestuarit janë dërguar në paraburgim në Ferizaj.
Wednesday, 07 October 2015 15:44