Familjarët e dy vëllezërve të vrarë në Greqi:
“Djemtë i vranë pas shpine. Njëri prej tyre është qëlluar në tokën tonë ndërsa po mbante në krahë vëllain e qëlluar”. Familjarët e dy vëllezërve Melsi dhe Klevis Çollaku akuzojnë policinë greke se i ka qëlluar pabesisht ata, pasi i kanë ndjekur deri në territorin shqiptar.
Xhaxhai i viktimave që mbetën të vrarë mëngjesin e së dielës në zonën greke të Prespës së Vogël kërkon të zbardhet e vërteta. Engjëllush Çollaku thotë që ka në dorë aktin e ekspertizës mjekoligjore, e cila ka nxjerrë se 35-vjeçari Melsi Çollaku është qëlluar 5 herë pas shpine, ndërsa i vëllai, Klevisi, 30 vjeç, 3 herë. Fillimisht nga policia jonë i është thënë se ka vdekur vetëm një prej djemve, por më vonë është mësuar se dera e familjes Çollaku ishte shuar me vrasjen e dy djemve të saj.
“Përveçse i morën jetën, i lanë pa pastruar e pa u veshur, duke mos i lënë rehat as pas vdekjes”, shprehet i pikëlluar xhaxhai i dy djemve.
Ç’mund të thoni për versionin e Policisë greke në lidhje me ngjarjen?
Gjithçka ka ndodhur ndryshe nga sa thuhet. Asnjë nga ne nuk e beson atë që nxjerr policia greke. Ata na i vranë djemtë dhe tani duan të mbrohen. Përveç kësaj, guxojnë dhe hedhin baltë mbi djemtë duke ngritur dyshime për trafik droge e kushedi se çfarë. Ne e dimë shumë mirë që ata shkuan atje për bukën e gojës, por nuk e dimë se pse u vranë. Torturat që pësojnë shqiptarët kur bien në duart e grekut i njohin të gjithë, por një krim i tillë nuk është parë.
Ku i mbështesni këto pretendime?
Fillimisht te fjalët që na tha policia kur kishte ndodhur ngjarja. Policia na tha se në territorin grek u vra vetëm njëri. Vëllai tjetër e mori në kurriz dhe kaloi në territorin shqiptar. Por, policia greke i ka ndjekur duke vrarë edhe tjetrin. Ne kemi mundur të marrim edhe raportin e mjekut ligjor në Greqi dhe sipas tij ka rezultuar që tre personat, si djemtë tanë, por edhe polici grek, janë qëlluar në shpinë. Melsi ka marrë 5 plumba, kurse Klevisi ka marrë dy, ndërsa polici grek ka pasur tre plumba. Të tre janë qëlluar pas shpine, ndaj këtu ka diçka që të lë të dyshosh.
Si ishin trupat kur i morët?
Nuk e di kush na ka tronditur më tepër, fakti që ata u vranë, apo fakti që as të vdekur nuk i lanë rehat. Ishte skandaloze ajo që u desh të bënim në spitalin e Bilishtit. Pas autopsisë ata nuk janë veshur në morgun ku u ekzaminuan dhe ne na u desh që përveçse të vrarë, t’i qajmë edhe për gjendjen në të cilën u nxorën nga morgu. Na është dashur gati një orë për t’i pastruar e për t’i veshur në mënyrë që t’i varrosim ashtu si duhet dhe ashtu si e meritonin.
Çfarë kërkoni tani?
Kjo është një ngjarje kriminale, ndaj unë dua të zbardhet e vërteta. Këtë e kërkoj jo vetëm në emrin tim, por edhe në emër të të gjithëve. Ata ishin djem të ndershëm dhe prindër të mirë, lanë 4 jetimë që kur të rriten do kërkojnë të mësojnë arsyen që ata mbetën jetimë. Kjo është e drejta e të gjithëve, të zbardhet shkaku i kësaj tragjedie që na mbylli derën.(Panorama)
Tuesday, 10 December 2013 11:20