“Një nga sugjerimet e direktivave të Bashkimit Evropian është që mos mbetet evazive, mos e lemë të hapur mbajtjen e mjeteve të tjera. Ndryshe grupet e gatshme, kur drejtori është në shtëpi mund të përdorin shkopin e gomës duke u shprehur se ashtu e gjykuan”, – deklaroi Hysi. Sugjerimet e saj u bënë pjesë e ndryshimeve. Një tjetër element i shtruar në ligj është që struktura dhe organika e Drejtorisë së Policisë së Burgjeve të miratohet me urdhër të kryeministrit. Relatori Lutaj propozoi që struktura të miratohej me urdhër të ministrit dhe propozim të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve çka u kundërshtua nga komisioni. “Mua më duket më mirë sipas variantit të qeverisë ku kryeministri e voton me propozim të ministrit. Përgjegjësinë për numrin e punonjësve e ka kryeministri”, – propozoi socialisti Bashkim Fino çka u pranua dhe nga komisioni. Gjatë diskutimeve nen për nen kreu i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj nuk kurseu kritikat për Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Artur Zoto i cili duke i qëndruar variantit të qeverisë në çdo rast, nuk u bë pjesë e diskutimit për propozimet e relatorit. “Nëse jeni konsultuar me relatorin, atëherë mos vinit fare në komision, e keni dorëzuar dhe kaq”, – theksoi Xhafaj.
Diskutimet nen për nen të draftit do të vijojnë në mbledhjen e radhës. Ndryshimet në ligjin “Për policinë e burgjeve” parashikojnë zgjerimin e objektit të ligjit aktual, nëpërmjet krijimit të një shërbimi të Policisë së Burgjeve, të qëndrueshëm, profesional, të bazuar në meritë, integritet moral dhe paanësi politike. Gjithashtu, objekt i ligjit do të jetë edhe përcaktimi i rregullave të njëjta për kushtet dhe procedurat e pranimit në Policinë e Burgjeve, për mënyrën e fillimit të marrëdhënies së punës, për zhvillimin e karrierës, për garantimin e të drejtave dhe përcaktimin e detyrimeve të punonjësve të Policisë së Burgjeve. Miratimi i të dy projektligjeve do të vijojë në mbledhjen e ardhshme. Komisioni diskutoi dje dhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8328, datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve” të ndryshuar”. Dy draftet do miratohen në tërësi në mbledhjen e radhës.
Saturday, 29 March 2014 16:33